Çako-Maxhuni: Bashkëpunim dhe luftë efikase kundër të gjitha formave të krimit

 

Drejtori i Policisë sё Shtetit,Haki Çako, zhvilloi sot njё takim me Drejtorin e Pёrgjithshёm tё Policisë sё Kosovës, Shpend Maxhuni.

Nё fokus të takimit të zhvilluar mes dy drejtuesve të lartë të policisë dhe delegacioneve që i shoqëronin ishte bashkëpunimi ndërmjet strukturave respektive për një luftë sa më efikase kundër të gjitha formave të krimit dhe në mënyrë të veçantë krimit të organizuar e terrorizmit, po ashtu dhe zbatimi i memorandumit të bashkëpunimit lidhur me patrullimet e përbashkëta përgjatë sezonit turistik.

Çako gjatë këtij takimi, duke vlerësuar nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit mes Policisë Shqiptare dhe Policisë së Kosovës, theksoi se përveç miqësisë, ky bashkëpunim ka në themel të tij dhe faktin se policitë e të dy vendeve në fokus të veprimtarisë së tyre kanë luftën kundër krimit, në mënyrë të veçantë krimit të organizuar, trafiqeve të të gjitha llojeve, terrorizmit dhe korrupsionit, që përkon dhe me përmbushjen e detyrimeve për anëtarësimin e të dy vendeve në BE, si dhe luftën kundër çdo lloj veprimtarie tjetër të paligjshme.

Ndërkohë Maxhuni vuri në dukje faktin se bashkëpunimi ndërmjet strukturave policore është një ndër mënyrat e vetme për tu përballur me sfidat, rreziqet dhe problemet aktuale, që shqetësojnë dy vendet tona, por dhe vendet e rajonit e më gjerë dhe nisur nga ky fakt Policia e Kosovës është e hapur për bashkëpunim dhe do të jetë gjithmonë në dispozicion për të çuar akoma më tej nivelin e lartë të bashkëpunimit dypalësh.

Çako dhe Maxhuni, duke evidentuar rezultatet konkrete të bashkëpunimit të deritanishëm, theksuan se mënyra më e mirë për të intensifikuar bashkëpunimin dypalësh dhe për të qenë akoma më efikas nё goditjen e krimit tё organizuar, trafikut tё drogës, tё armёve e tё gjitha formave tё krimit ndërkufitar, është ndërtimi i linjave të hapura të komunikimit të vazhdueshëm mes strukturave respektive, bazuar në besimin reciprok, duke mos mbetur peng i protokolleve. Për këtë qëllim u përcaktuan dhe hapat që do ndërmerren nisur dhe nga nevojat e strukturave përkatëse.

Në fokus të këtij takimi, ndërmjet përfaqësuesve të lartë policor të dy vendeve, ishte edhe lufta kundër terrorizmit, radikalizimit apo rekrutimeve për pjesëmarrje në luftë në Siri, një luftë që nuk ka asnjë kuptim për shqiptarët, të cilët janë bërë pre e propogandës, duke evidentuar faktin se strukturat policore respektive të mbështetura fuqishëm nga partnerët strategjikë, do të bashkëpunojnë për rritjen e sigurisë në të dy vendet dhe në rajon.

Po ashtu bashkëveprimi kufitar ishte një tjetër çështje e diskutuar gjatë këtij takimi, duke nënvizuar faktin se strukturat e policisë kufitare të të dy vendeve duhet të përcjellin mesazhin e bashkëveprimit si një trup i vetëm, duke garantuar cilësi të lartë shërbimi ndaj qytetarëve, por dhe një luftë efikase ndaj krimit ndërkufitar.

Ndёrkohё nisur nga fakti se aktualisht po zhvillohen patrullimeve tё pёrbashkёta rrugore gjatё sezonit veror turistik, drejtuesit e lartё policor dhe përfaqësuesit e strukturave respektove të Policisë Rrugore evidentuan efikasitetin, rëndësinë dhe ecurinë e deritanishme të këtij bashkëpunimi.

Nё pёrfundim tё takimit Çako dhe Maxhuni rikonfirmuan gatishmёrinё dhe vullnetin e pёrbashkёt pёr tё forcuar akoma më tej bashkëpunimin ndërmjet dy policive, duke konkretizuar të gjitha çështjet e trajtuara gjatë këtij takimi, si dhe duke ofruar të gjitha kapacitetet për të bërë të mundur rritjen e pasigurisë së personave që ushtrojnë aktivitet kriminal dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve të dy vendeve.

SHKARKO APP