Çakull “elektoral” në Elbasan, ankohen banorët e fshatit Hajdaran: Janë tallur me ne, kujtojnë se do marrin votën
Vetëm 3 kilometra nga qyteti i Elbasanit, fshati Hajdaran vuan për rrugë. Banorët ankohen se edhe një shtresë çakulli që u hodh për të mbuluar gropat rrëshqiti nga dheu, ndërsa nxënësve u duhen çizme për të shkuar në shkollë.
Banorët e fshatit Hajdaran në Elbasan ankohen se bashkia po u’a vështirëson jetën. Ankesa e tyre lidhet me rrugën.
“Në letra është asfalt por në realitet baltë.”
Kjo shtresë çakulli që shikoni në video, është hedhur nga bashkia e Elbasanit për të mbuluar gropat dhe dëmet në infrastrukturë, por ndërhyrja ka dhënë efektin e kundërt.
Siç duket edhe nga pamjet, shiu i një nate me pare ka shkaktuar rreshqitje të çakullit dhe si rrjedhojë edhe bllokim të rrugës, ndaj këtë shtresë çakulli deri diku e quajnë tallës.
“Marrin balta mali dhe na i sjellin ne këtu.”
“Shpenzime të koha për ti mbyllur gojën popullit.”
Ka nga ata të cilët thonë se ky veprim është bërë vetëm për efekt fushate.
“Duan votën tonë dhe kujtojnë se do ta marrin. Shumë mirë që e kanë shtruar kështu se nuk do t’ua jap votën jo vetëm atyre por kujtdo që bën këtë lloj pune.”
“Me një thes miell mund ti gënjesh njerëzit këtu por jo me këtë rrugë, me këtë baltë.”
Kur bie shi nxënësit e kanë të vështirë të shkojnë në shkollë.
Shpesh përdorin çizme dhe i ndërrojnë në oborrin e shkollës, pasi i druhen paragjykimeve të bashkëmoshatarëve të tjerë.
“Fëmija del zbathur, me çizme, mësuesit këtu bëjnë sehir.”
Fshati Hajdaran, ndodhet vetem 3 km nga Elbasani, por banorët atje thonë se janë shumë larg vëmendjes së bashkisë.
“Që kur ka ardhur Bashkia e madhe ne na kanë harruar fare, na kanë lënë pas dore.”