Çdo ditë 10 gra kërkojnë ndihmë, vështirë ekzekutimi i urdhrit të mbrojtjes
Çdo ditë, gati 10 gra dhe vajza janë viktima të dhunës në vendin tonë. ”Femrat janë heroina. Nga gruaja kemi ardhur dhe me ato e kemi jetën. Dhuna vetëm dhunë sjell. Nuk ka dhunë në familjen time. Që kur u fejuam në 1972 deri më sot nuk ka patur kurrë dhunë në familjen tonë. Edhe fëmijët e martuar nëpër familjet e tyre nuk kanë dhunë, tregon një çift”, shprehen qytetarët. Dhuna fizike dhe verbale, martesat në moshë të hershme, trafikimi i femrave, janë ende fenomene të mprehta. Madje shprehja ”Kush të rreh të do”, besohet dhe zbatohet nga meshkuj shqiptarë. Shumica e grave dhe vajzave nuk e raportojnë dhunën nga turpi dhe frika, madje një përqindje e konsiderueshme thonë se dhuna është çështje private që duhet të mbetet brenda mureve të shtëpisë.
Prokuroria e Tiranës, zhvilloi një aktivitet kundër dhunës ndaj grave. Gjatë fjalës së saj, kryeprokurorja e Tiranës, Elizabeta Ymeraj deklaroi se janë 200 persona të arrestuar për dhunë në familje. “E nisim këtu pranë akuzës ditën e parë kundër dhunës, pasi motoja jone është: bashkë kundër dhunës. Janë ashpërsuar dënimet për veprat penale të dhunës ndaj gruas. Këto vepra penale janë të shpeshta dhe një fenomen shqetësues”, u shpreh Ymeraj.
”Prokurorët dhe gjyqtarët janë qenie njerëzore, shpesh shohim edhe anën njerëzore. Rastet e dhunës i takojnë familjeve me probleme ekonomike dhe shoqërore. Sistemi penal kështu siç është ndërtuar ndikon edhe mbi autorin dhe viktimën, pasi shpesh autori është i vetmi që sjell të ardhura në familje. Ne jemi një hallkë e këtij zinxhiri. Një pjesë fare e vogël i përsërisin sërish veprimet. Dënimi penal ka efekt, ne duhet të ndërgjegjësojmë viktimat e dhunës, të cilat refuzojnë të ndihmojnë gjatë procesit penal. Po vëmë re qe në praktikë dalin vështirësj në zbatimin e urdhrave të mbrojtjes. Gjykata thotë të qëndrojnë në distancë 500 metra në një kohë kur ata të dy dhunues dhe viktimë jetojnë nën një çati. Kjo është vështirësi e zbatimit në praktikë”, deklaroi nga ana tjetër prokurori Genci Qana.
Ekzekutimi i urdhrit të mbrojtjes ishte një nga problemet me të cilat haset edhe organi i akuzës, pasi edhe pse jepen nga gjykata zbatimi i tyre është i vështirë. ”Në praktikë dalin shumë vështirësi për zbatimin e tyre”. Dhuna ndaj gruas në vendin tonë është më e larta në rajon, duke njohur rritje nga viti në vit.