Çeku për Malin e Zi: Urime faktorit shqiptar, por me unitet dhe pa ndërhyrjet e Ramës do të shkonte edhe më mirë
Zgjedhjet e djeshme në Malin e Zi do të jenë përcaktuese për drejtimin euroatlantik të vendit fqinj, por mund të ketë ndikime edhe në ekuilibrat e Ballkanit dhe të faktorit shqiptar në rajon.
Ish-ambasadori Arben Çeku duke uruar shqiptarët e Malit të Zi për dy mandatet e marra, nënvizon gjithsesi se “numri do të ishte më i madh me një qasje më realiste dhe unifikuese, dhe në qoftë se Tirana do të kishte ndërhyrë në mënyrë më tradicionale”.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka ndërhyrë në mënyre “ jo normale” në fushatën zgjedhore të një vendi mik. “Jo gjithmonë qasja paternaliste dhe fodulle mund të ndikojë në unifikimin e shqiptarëve. Duhet të jetë leksion për ne, nuk mund të ndërhyhet në atë mënyrë, duke marrë parasysh që fliste personi në krye të OSBE-se, që duhet të monitoronte ato zgjedhje”, thotë Çeku.
Gjithsesi, sipas tij qasja e Malit të Zi është siguruar, dhe nuk ndikohet në mënyrë vendimtare nga faktorë të tjerë. Këtë e tregon edhe qasja europiane e Dritan Abazovic, shqiptarit që me partinë e tij URA, jashtë koalicionit shqiptar, mund të jetë përcaktues i fatit të pushtetit në Podgoricë, por edhe që tregon mungesën e unitetit të faktorit shqiptar.
“Dy mandate kishte edhe në 2006, më vjen keq që nuk kemi pasur unitet të faktorit shqiptar, si në Tuz. Shpresoj që këto zgjedhje të jenë platformë për unifikimin e tyre”, thotë diplomati për A2.
Për sa i përket zgjedhjeve, Çeku thotë se “ende është shpejt për të folur, edhe pse zgjedhjet morën karakter etnik dhe deri diku edhe fetar, me kishën që mori anën e forcave pro serbe dhe pro ruse, nuk mund të mohojmë që kishim të bënim me zgjedhje demokratike. Parti etnike nuk mund të përjashtohen në vende të tilla, por nëse zbatohen rregullat e lojës, mazhoranca do të përcaktohet sipas Kushtetutës pavarësisht retorikës dhe ndërhyrjeve. Rëndësi ka të ruhet stabiliteti i Malit të Zi”.