Çela në Kuvend: 2492 persona janë vënë në përgjim, dyshohet të përfshirë në vepra penale

Kryeprokurori Olsian Çela po raporton veprimtarinë vjetore të Prokurorisë së Përgjithshme në Kuvend.

Sipas Çelës, gjatë vitit 2023 janë ekzekutuar 1121 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake dhe 456 autorizime dhe urdhra të prokurorit.

Për sa më sipër është mundësuar interceptimi për 2675 pajisje fundore në përdorim të 2492 personave të dyshuar si të përfshirë në vepra penale.

Sipas kryeprokurorit, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë.

“Përgjatë vitit 2023 në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ka vijuar krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 38 % të prokurorëve (rivlerësimi kalimtar). Megjithë problemet e krijuara nga këto mungesa të theksuara në organikë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë ushtruar me përgjegjësi kompetencat bazuar në kuadrin ligjor në fuqi, rekomandimet e institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe në prioritetet e shtetit shqiptar që rrjedhin nga procesi i integrimit me Bashkimin Europian.

TREGUESIT KRYESORË SIPAS FAZAVE TË PROCEDIMIT PENAL

Treguesit e hetimeve paraprake, pesha dhe tendencat e tyre

Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar 55253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, dhe janë mbartur 21011 procedime penale. Është vendosur mosfillimi për 9946 referime dhe kallëzime penale.

Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me 35,12 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi; në fund janë prokuroritë Kukës 2,37 %; Dibër 2,31 % ,të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi.

Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2023 është 872, ndërsa në vitin 2022 koefiçenti i kriminalitetit ka qenë 920. Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë.

Ndër grupveprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, evidentohet se veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31,71 %, por me një ulje 1,54 % krahasuar me vitin 2022; veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 23,64 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 16.39 % krahasuar me vitin 2022; sërish me një tendencë ulje të ndjeshme si në vitin e kaluar; veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes 6,2%, me një ulje prej 4.68 % në krahasim me vitin 2022.
Tendencë në rritje është vërejtur për veprat penale që cënojnë regjimin juridik të tokës”, 12,86 %; veprat penale kundër sekretit dhe kufijve shtetërorë, 9,20 %; veprat penale në fushën kibernetike, 22,35 %; veprat penale të trafiqeve të paligjshme”, 47,59 %; veprat penale kundër prodhimit dhe kultivimit të narkotikëve”, 13,81 %.

II.EFIÇENCA NË PËRFUNDIMIN E NDJEKJES PENALE DHE E KËRKESAVE NË GJYKATË

Efiçenca në hetimet hetimet paraprake dhe ndjekjen penale

Gjatë vitit 2023 janë përfunduar 23419 çështje prej të cilave: 41,21 % janë dërguar për gjykim, 25,76 % janë pushuar, 30,04 % janë pezulluar.
Janë paraqitur në gjykatë 12259 kërkesa lidhur me masat e sigurimit personal. Lidhur me të dhënat për caktimin e masave të sigurimit shtrënguese për vitin 2023, për 55,31 % të të pandehurve të regjistruar ( 32,03 % të personave në hetim) është kërkuar caktimi i një mase sigurimi shtrënguese. Ndërkohë, rezulton se 59,32 % e kërkesave, lidhet me caktimin e një mase sigurimi me arrest, masa këto të kërkuara për 32,81 % të të pandehurve regjistruar ( 19 % të personave në hetim). Në raport me vitin 2002, në tërësi vihet re një tendencë ashpërsimi në aplikimin e masave të sigurimit.
Janë dërguar në gjykatë 9652 çështje me akuzë ndaj 11401 të pandehurve. Raporti ndërmjet çështjeve dërguar në gjykatë dhe çështjeve të pushuara është 61,54 % me 38,46 %.

Në gjykatë janë dërguar 136 kërkesa për miratim të urdhrit penal në lidhje me 139 të pandehur, tregues ky në ulje të ndjeshme nga një vit më parë.
Në gjykatë gjithashtu janë dërguar 143 kërkesa për miratim të marrëveshjes së fajësisë në lidhje me 148 të pandehur, shifra këto më të ulta se në vitin 2022.
Ndërkohë, është kërkuar gjykimi i drejtëpërdrejtë për 283 çështje me 286 të pandehur, që krahasuar me vitin 2022, përbëjnë rritje prej 15,51 % të numrit të çështjeve dhe 15,79 % të numrit të të pandehurve për të cilët është kërkuar ky lloj gjykimi.
Gjatë vitit 2023, u dërguan në gjykatë për pushim 4912 çështje. Nga të dhënat rezulton se për 133 çështje gjykata ka vendosur kthimin e akteve dhe vazhdimin e hetimeve.

Efiçenca në kërkesat për gjykim dhe përfaqësimin e çështjes/akuzës në gjykatë
Në lidhje me vendimet e gjykatës, nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2023 janë dënuar 7254 të pandehur dhe për 199 të pandehur është dhënë vendim për deklarimin të pafajshëm ose për 2,67 %.
Nga të dhënat statistikore rezulton se në vitin 2023 urdhrat për ekzekutim e vendimeve gjyqësore penale të formës së prerë (në vijim: vendime) të dënimeve kryesore me burgim, gjobë dhe dënime plotësuese, zënë 35,40 % të totalit të urdhrave për ekzekutim të lëshuara nga prokurori, ndërsa urdhrat për ekzekutim të dënimeve alternative zënë 64,60 % të totalit të urdhrave për ekzekutim të lëshuara nga prokurori. Gjatë vitit 2023 janë ekzekutuar 4627 vendime, ndërsa kanë mbetur pa u ekzekutuar 2093 vendime.

Efektiviteti i ndjekjes penale për disa grupvepra penale me tendencë në rritje ose në ulje sipas shtrirjes gjeografike, në vitin 2022
i) Prokurorët në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në bashkëpunim me shërbimet e policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, kanë vijuar rolin aktiv në kryerjen e hetime proaktive dhe/ose me përdorim të mjeteve të posaçme të hetimit, në kuadrin e 514 procedimeve penale ku janë arrestuar në flagrancë apo ndaluar 474 persona të dyshuar për krime kundër rendit dhe sigurisë publike, kundër jetës dhe kundër autoritetit të shtetit, dhe për vepra penale kundër lirisë së personit, korrupsion, shpërdorim detyre, në fushën e narkotikëve, pastrimi produkteve të veprimtarisë kriminale, trafiqe të paligjshme e vepra të tjera të rënda, duke parandaluar kështu pasoja të mëtejshme për shtetin dhe shtetasit.
ii) Në shifra të përgjithshme, gjatë vitit 2023 janë ekzekutuar 1121 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake dhe 456 autorizime dhe urdhra të prokurorit. Për sa më sipër është mundësuar interceptimi për 2675 pajisje fundore në përdorim të 2492 personave të dyshuar si të përfshirë në vepra penale”,-u shpreh Çela.

SHKARKO APP