Çelet Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Madrid, Gonxhja: Shqipëria prezantohet si destinacion gjithëvjetor
Është çelur në Madrid Panairi Ndërkombëtar i Turizmit (FITUR), një nga ngjarjet më të rëndësishme globale për industrinë e turizmit. Shqipëria merr pjesë me stendën e saj zyrtare, duke u prezantuar përmes përvojave autentike dhe duke u pozicionuar si një destinacion gjithëvjetor dhe gjithëpërfshirës.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja tha se pavijoni shqiptar është konceptuar nën moton “Albania All Senses”, me pjesëmarrjen e një numri të gjerë agjencish turistike, partnerësh, shoqatash, si dhe përfaqësues nga bashkitë dhe strukturat që merren me promovimin e turizmit, kulturës, traditës, folklorit dhe artizanatit shqiptar.
“Çelim pavijonin e Shqipërisë me ‘Albania All Senses’, me një numër të konsiderueshëm agjencish dhe partnerësh. Turizmi nuk është vetëm det, çadra dhe rëra. Kemi nevojë për turizëm eventesh, destinacionesh, spektaklesh dhe aktivitetesh të ndryshme”, u shpreh ministri Gonxhja.
Ai theksoi gjithashtu rolin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit dhe Agjencisë së Bregdetit në menaxhimin dhe promovimin e Shqipërisë dhe destinacioneve turistike, duke nënvizuar rëndësinë e promovimit digjital dhe virtual për zgjerimin e turizmit gjithëvjetor. Sipas ministrit, panairi në Madrid ofron mundësi të shumta për takime biznesi dhe bashkëpunime në nivele qeveritare, lokale dhe ndërkombëtare, duke forcuar rrjetëzimin, shkëmbimin e informacionit dhe njohjen e mëtejshme të Shqipërisë në tregjet globale të turizmit.
Gonxhja vuri theksin edhe te nevoja për rritjen e kapaciteteve hoteliere gjatë sezonit të dimrit dhe për investime më të qëndrueshme dhe organike gjatë gjithë vitit, në mënyrë që mbështetja për promovimin e turizmit shqiptar të jetë e vazhdueshme. Panairi do të jetë i hapur edhe për publikun e gjerë gjatë fundjavës, ndërsa dy ditët e para i janë kushtuar takimeve profesionale, negociimit të marrëveshjeve dhe mbylljes së kontratave dhe rezervimeve turistike.
KOHA JONË SONDAZH

