Çelet për Shqipërinë tregu serb i grurit, misrit dhe vajit. Ministrat rikonfirmojnë marrëveshjen e ”Open Balkan”
Dje presidenti serb Aleksandër Vuçiç dha dritën jeshile që Shqipëria do të marrë grurë, misër dhe vaj, në këtë kohë të krizës. Ndaj dhe sot ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, ndodhet në një vizitë zyrtare në Beograd, lidhur me garantimin e funksionimit të tregjeve ushqimore në rajonin tonë.
Ministrja Krifca dhe ministri serb i Bujqësisë, Branislav Nedimovic, kanë konfirmuar hapjen e tregut dhe lëvizjen e lirë të grurit dhe misrit ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë.
“Në një takim me ministrin Nedimovic në Beograd patëm mundësinë të diskutojmë edhe njëherë marrëveshjen e Ballkanit të Hapur edhe në kushte në të cilat gjendemi tani dhe për të siguruar që kjo marrëveshje funksionon. Kontratat e lidhura tashmë për importin dhe eksportin e produkteve të ndryshme përfshirë atë të misrit apo të grurit do të vijojnë normalisht.
Ne garantuam njëri-tjetrin për një bashkëveprim dhe bashkërendim institucional të mirëkuptuar dhe është shumë e rëndësishme që kompanitë shqiptare do të kenë mundësi që kësaj jave do të mund të vijojnë biznesin e tyre normalisht për importet e grurit dhe misit.
Ky është një shembull i mënyrës se si marrëveshja e Ballkanit të Hapur krijon lehtësira edhe në periudha shumë të vështira, për arsye të luftës”.