Çelet Qendra e Arsimit dhe Formimit Profesional

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ishte sot, e pranishme në fillimin e punimeve të Qendrës së Arsimit dhe Formimit Profesional, fryt i një bashkëpunimi ndërmjet Universitetit Bujqësor të Tiranës, qeverisë Sllovene dhe USAID me qëllim implementimin e nismave për përmirësimin e cilësisë së universiteteve shqiptare.

Në këtë kuadër, UBT dhe Albanian Agriculture Competitiveness – Lushnja (e kontraktuar nga USAID) nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit në ndihmë të zhvillimit të sektorit bujqësor shqiptar.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse, Ministrja Nikolla tha se një prej objektivave të rëndësishëm është koordinimi i projekteve  për rritjen e cilësisë në universitetet shqiptarë me reformën në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

“Ky projekt shumë shpejt do të jap rezultatet e tij në cilësinë e re të formimit të specialistëve. Prioritet i arsimit të lartë është përqasja e cilësisë së profesionistëve me atë që kërkon tregu i punës. Ju garantoj edhe një herë mbështetjen e MAS dhe të qeverisë shqiptare për projekte të tilla të cilat shënjojnë një cilësi të re të diplomave dhe krijojnë një standard të ri për arsimin e lartë në vend, sepse arsimi është politika më e mirë ekonomike e zhvillimit të vendit”, tha Lindita Nikolla.

Qendra e Arsimit dhe Formimit Profesional do të ketë në përbërje një sallë të madhe për konferenca shkencore, salla trajnimi dhe dy laboratorë veterinarë të pajisur me aparatet më moderne që do të mbulojnë dy nga problemet më të rëndësishme të veterinarisë në Shqipëri, laboratori i sigurisë ushqimore, laboratori i mbrojtjes së shëndetit të kafshëve.

SHKARKO APP