Çelet sezoni turistik në Valbonë, Dushaj: Shteti të ndihmojë bizneset

Kryebashkiaku i Tropojës: Ndihma duhet të konsistojë në subvencionimin e prodhuesve, apo bizneseve që promovojnë tradicionalen e zonës, si dhe të reduktojë, ose t’i heqë tërësisht taksat për një periudhe të caktuar kohore atyre bizneseve që investojnë në infrastrukturën turistike në zonat malore, kur dihet se ky lloj investimi ka një kosto të lartë. Një tjetër është hapja e shkollave të mesme, apo kurseve në Tropojë, ku të rinjtë të kualifikohen në turizëm, bujqësi, blegtori, kuzhinë, marketing etj….

Të premten Bashkia e Tropojës hapi sezonin turistik në Valbonë. Në aktivitetin “Tropoja Turistike”, pati një sërë aktivitetesh të cilat startuan në orën 10:00 tek Muzeu i qytetit në Bajram Currit, me hapjen e zyrës së turizmit dhe ekspozitës fotografike të Tropojës, për të vazhduar më tej me panaire dhe aktivitete të tjera festive në Valbonë.

Në këtë ditë veç banorëve vendas dhe deputetëve të kuvendit të Shqipërisë znj.Mimoza Hajdarmataj, Sherefedin Shehu, dhe ish deputeti Jemin Gjana, ishin dhe drejtuesit e tjerë vendorë të qarkut Kukës.

Në fjalën e tij në aktivitetin “Tropoja Turistike” dhe ceremoninë e organizuar në Valbonë kryetari i bashkisë së Tropojës z.Besnik Dushaj tha: – “Para se të ngjiteshim këtu, shijuam në qindra fotografi pasuritë turistike të Tropojës, pamë do të thosha natyrën e mrekullueshme të saj, të vendosura tashmë në muzeun e qytetit Bajram Curri. Tash jemi këtu ne Valbonë, në gjirin e kësaj parajse të krijuar nga Zoti, mirë se erdhët në vendin e njohur të mikpritjes shqiptare, në Valbonë dhe Malësinë e Gjakovës!

Siç e shihni edhe vetë, sot jeni në një nga trevat malore, e pasur me bukuri të rralla, e përzgjedhur kohët e fundit si më e bukura në planet. Por unë dua t’u them se Tropoja është turistike, është e bukur, në çdo cep të saj, nga Brisa në Padesh, nga Curraj Epër në Bytyç e Berishë, nga Valbona në Fierzë. Dhe unë gjej rastin sot t`ju ftoj që të vizitoni edhe ato vende, që nuk keni patur mundësinë t`i shihni më parë. Në dy anët e kësaj lugine përtej maleve ndodhen edhe lugina të tjera, secila më e bukur se tjetra, ku ndërthuren lumenjtë e kulluar, me bjeshkët e majat, me liqenet alpinë, me plantacionet e boronicave dhe shpellat e rralla. Janë Currajt e Epër e gjithë Nikaj Mërturi, Parku Natyror Rajonal. E në anën tjetër, përtej këtyre maleve, në mes bjeshkëve të Krasniqes e Gashit, shtrihet Lumi i Gashit, Park Kombëtar i kategorisë së parë (zonë e mbrojtur strikt). Por e gjithë pjesa alpine rrethohet nga qendrat e banuara, kullat e bardha, qendrat arkeologjike, kalatë e Lek Dukagjinit dhe plantacioni mahnitës prej mbi 3000 hektarësh me gështenja, më i madhi në Ballkan”.

Në vijim të fjalës së tij z.Dushaj shtoi se:- ”Përtej kënaqësive që na krijojnë këto vende, ky gjelbërim dhe njerëzit optimist, unë dua të theksoj faktin se turizmi në kuptimin e gjerë të fjalës është në hapat e parë. Dhe mendoj se do të duhet shume punë që njerëzit të kuptojnë se turizmi është pothuajse aseti kryesor, që do të sjellë zhvillim në Tropojë. Ne po bëjmë përpjekje të mëdha për të identifikuar potencialin turistik të zonës. Dhe një ndihmesë të madhe në këtë drejtim na kanë dhënë Shoqatat e Turizmit të Alpeve, Këshilli i Qarkut Kukës dhe veçanërisht Fondacioni Gjerman GIZ, të cilat i falenderoj në emër të Bashkisë së Tropojës dhe kërkoj që të vazhdojnë mbështetjen në njohjen, shfrytëzimin dhe leverdinë ekonomike që ka kjo zonë nga turizmi.

Kur flasim për destinacione dhe resurse turistike kemi parasysh Tropojën, e rrethuar nga dy liqene të mrekullueshëm, i Komanit e Fierzës dhe me shumë lumenj e liqene malorë deri në lartësi të Jezercës e Dobërdolit. Një luginë pjellore e njohur si lug i Malësisë, me pllaja dhe bjeshkë, me male të larta, me bukuri dhe madhështi”.

“Për në Tropojë, turistët vijnë jo vetëm nga Qafa e Morinës, apo liqeni i Komanit, jo vetëm nga Qafa e Malit apo Qafa e Luzhës por nga Veriu e Perëndimi, nga qafat e maleve, nga Bjeshkët e Kosovës, Plava e Gucia, nga Thethi e Dukagjini. Nuk e di se cilin destinacion turistik të veçoj tani, pasi ato janë me qindra dhe secila më interesante se tjetra, shumica të pashfrytëzuara. Ne duhet ti orientojmë turistët të dalin nëpër asfalt deri në Markaj, apo Kërrnajë dhe të shijojnë Parkun e Gështenjave, më të madhin në Ballkan, te shkojnë në qytezën e bukur të Fierzës për t”u shpjeguar hidrocentralin dhe njërën nga digat më të larta të Europës. Fola për këto vende afër qytetit dhe rrugëve që shkohet lehtë, por sigurisht që është mahnitëse të shkosh në Çerem e bjeshkët për rreth, te shkosh ne Padesh apo Curraj Epër, në lumin e Pjasë, apo shpellën e pashoqe në botë, atë të Kakverrit. Me sa kemi ne mundësi, bashkë me banorët vendas po punojmë për të hapur shtigje dhe rrugë të reja.

Së shpejti mbaron rruga e bjeshkës Tropojë-Sylbicë, e cila jep mundësi lëvizje me automjete në gjithë bjeshkët e larta. Thënë më thjeshtë, në qoftë se ha mëngjesin në stanet e Sylbicës, drekën e ha në Valbonë duke shijuar liqenin dhe bjeshkën e Dobërdolit, bjeshkët e mrekullueshme, me rudina dhe pyje shekullore deri në Çerem, e pastaj zbritje në grykën mbi Dragobi, përballë shpellës legjendare, ku dha jetën Bajram Curri. Sa kënaqësi do të ishte sikur turistët të fillonin të ngjiteshin përgjatë lumit të Gashit. Ndofta itinerari më interesant do të ishte nëpër kanalin e Gashit, ku njeriu shikon i çuditur atë mrekulli, që kanë bërë malësorët vetëm me leve dhe varre’, kanë çarë shkëmbej për të sjellë ujin në tokat e tyre të thara. Te ama e kanalit është Gryka e Bradoshnicës e më lart fshati i shtrirë në disa kilometra, fshati më i thellë në Shqipëri. Fshati i len vendin një lugine të rrethuar nga malet e shkëmbinjtë, lumit të Gashit. Aty rriten të gjitha llojet e luleve, të bimëve dhe drurëve. Është vlerësuar si ndër vendet e rralla në botë, me një bimësi jashtëzakonisht të pasur. Unë them se bëhet ndër më të rrallat edhe për faktin se në një parajsë të tillë tokësore si kjo, nuk kanë filluar të ngjiten turistët akoma. Prandaj sot e rekomandoj me kënaqësi si destinacionin turistik të kësaj vere” – theksoi kryebashkiaku Dushaj.

Kreu i bashkisë së Tropojës vijoi me fjalën e tij duke theksuar se:- “Unë fola më shumë për resurset natyrore gjithëvjetore, por nuk mund të ketë turizëm të nivelit të kërkuar dhe me leverdi ekonomike, pa resurse njerëzore, ekonomike, infrastrukture të pranueshme dhe ndihmë nga shteti.

Dhe kjo ndihmë mendoj se duhet të konsistojë në subvencionimin e prodhuesve, apo bizneseve që promovojnë tradicionalen e zonës, si dhe të reduktojë, ose t’i heqë tërësisht taksat për një periudhe të caktuar kohore atyre bizneseve që investojnë në infrastrukturën turistike në zonat malore, kur dihet se ky lloj investimi ka një kosto të lartë. Një tjetër ndihmë që qeveria mendoj mund të jepte, është hapja e shkollave të mesme, apo kurseve këtu në Tropojë, ku të rinjtë të kualifikohen në turizëm, bujqësi, blegtori, kuzhinë , marketing etj. Unë mendoj se Tropoja ka tokën, blegtorinë, frutikulturën, bletarinë, ka njerëz punëtorë, dhe në stinët e verës e vjeshtës nuk është nevoja të sjellim nga rrethet e tjera produktet që kërkon kulinaria turistike. Ne e dimë se ka shumë për të bërë në drejtim të akomodimit, në drejtim të kuzhinës tradicionale, por dhe të veprimtarive të ndryshme, si ecjet në shtigje e male, dhe sidomos vizitat në vendet historike, ku Tropoja ka shumë, sepse ka luajtur një rol të madh në historinë e kombit. Por ne gjithashtu duhet të punojmë që turizmi në Tropojë të mund të ushtrohet gjatë gjithë vitit, pra në çdo stinë. Në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, këto ditë do të finalizojmë një marrëveshje bashkëpunimi, e cila do të mundësojë që Qendra e Zhvillimit të Turizmit të përmirësohet rrënjësisht dhe të kthehet në promotorin e promovimit të turizmit, jo vetëm të Valbonës, por të gjithë Tropojës dhe të zonave për rreth. Kjo qendër nuk synon dhe nuk do të konkurrojë asnjë biznes, por do të jetë ndihmë për ta, pasi me punën që do të kryejë, me shërbimet dhe informacionin që do japë do të shtojë numrin e turistëve në këto zona, duke u shndërruar në shtëpinë e përbashkët të çdo vizitori”.

“Tani jemi këtu në stinën më të bukur të vitit dhe çdo gjë na duket e lehtë dhe e bukur. Por këta burra e gra që banojnë këtu në Valbonë e në zonat përreth, të cilët i përshëndes përzemërsisht, me një vendosmëri të madhe për përmirësimin e jetës së familjeve të tyre, me një punë mbinjerëzore, që bëjnë në përballje me dimrat e egër, me borën qe arrin në 2m , me bujarinë, mikpritjen, me dashurinë dhe respektin që tregojnë për njerëzit, janë heronjtë e vërtetë të turizmit shqiptar dhe kanë dhe do të kenë gjithmonë nderimin tonë e të mijëra vizitorëve nga e gjithë bota. Duke përfunduar, një falënderim të veçantë kam për përfaqësuesit e mediave që janë sot këtu dhe ju kërkoj që të shfrytëzoni çdo hapësirë për të pasqyruar në mënyre të vazhdueshme në mediat dhe portalet tuaja këto bukuri që shihni, sepse kjo zonë ka nevojë veç investimeve, edhe për promovim, ka nevojë për fjalë të mira, siç thotë populli. Se kjo është malësia legjende e Gjakovës , ku kanë ngjyer penat e tyre shumë njerëz të shquar. Dua ta mbyll me vargjet e Fishtës: Unë jam Ora e Shqiptarisë, Gjeraqinë emnin ma thonë, Edhe rri, atje mbi Valbonë!”- përfundoi fjalën e tij kryetari i bashkisë së Tropojës z.Besnik Dushaj në ceremoninë e hapjes së sezonit Turistik në Valbonë.

 

SHKARKO APP