Çelet sot Panairi i Librit
Nis sot Panairi i Librit, në edicionin e tij të 22-të, një prej ngjarjeve kryesore të takimit me dijen. Si çdo vit, lexuesit mund të njihen me botimet e reja dhe të takojnë nga afër disa prej autorëve të tyre të preferuar. Si çdo vit, nuk kanë munguar akuzat për mospërkrahje. Dy ditë më parë, në konferencën për shtyp, Petrit Ymeri, kreu i Shoqatës së Botuesve, denoncoi mungesën e vëmendjes nga qeveria. Si ngre alarmin se prej 8 vitesh bibliotekat shkollore nuk plotësohen me botimet e reja, ndërkohë që granti nga qeveria është gati i papërfillshëm krahasuar me kostot e prodhimit të librave. “Në fokus janë korsitë e biçikletave, të cilat mund të të çojnë deri tek stacioni i autobusit, ndërkohë që vetëm korsia e librit mund ta çojë vendin në Evropë”, tha Ymeri.