Çelet Zyra e Shërbimit Unik edhe në Korçë, Tahiri: Besimi i qytetarëve tek policia në rritje

Në Komisariatin e Policisë në Korçë u çel sot Zyra e Shërbimit Unik, ku përmblidhen të gjitha shërbimet që Policia e Shtetit ofron për qytetarët.

Në përurim ishin Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Artan Didi dhe drejtues të pushtetit vendor.

Shefi i Komisariatit të Korçës, e njohu Kryeministrin me mënyrën e funksionimit të zyrës dhe shërbimet që marrin qytetarët në të. Edhe në këtë zyrë shërbimet ofrohen të ndara në shërbime administrative dhe procedurale penale, ku shërbimi administrativ qytetarëve u ofrohet në 8 orë, ndërsa ai penal 24 orë.

Ministri Tahiri u shpreh se përgjatë vitit 2014 është dyfishuar aksesi i qytetarëve te Policia e Shtetit, çka sipas tij tregon besim të qytetarëve tek policia dhe lehtësi për të aksesuar shërbimin e policisë. “Vetëm gjatë vitit 2014 aksesi i qytetarëve te Policia e Shtetit është dyfishuar. Në qoftë se në vitin 2013 ishin rreth 2 mijë qytetarë që njoftonin policinë për problemet e tyre, gjatë vitit 2014 janë mbi 5 mijë. Gjë që tregon besim të qytetarëve te Policia e Shtetit, por edhe lehtësi për të aksesuar shërbimin e policisë” – u shpreh Tahiri.

SHKARKO APP