Censusi rrezikon të shtyhet për shkak të tërmetit, socialistët përplasen për fondet e BE-së
Qeveria mund të shtyjë realizimin e censusit në Shqipëri. Prej mëse një viti në Parlament është depozituar projektligji i qeverisë që do të realizojë regjistrimin e popullisisë, që njihet ndryshe dhe si census, e që shoqërohet edhe me pyetje të tjera sa u përket rezultateve për pasuritë, apo regjistrimin e banesave, punësimit, apo dhe ajo vetdeklarimit të besimit fetar.
Censusi që do të kryhet nga Instituti i Statistikave (INSTAT), realizohet një herë në dhjetë vite dhe i shërben qeverisë për marrjen e vendimeve për politikat makroekonomike apo të punësimit. Por kur viti 2020 sapo ka nisur, Parlamenti akoma nuk ka miratuar projektligjin “Për Censusin e popullsisë dhe banesave”, i paraqitur që në vitin 2018. Shqetësimi për mosmiratimin e ligjit është ngritur në mbledhjen e konferencës së kryetarëve në Parlament, ku është paralajmëruar gjithashtu edhe mosrealizimi i Censit brenda afateve të parashikuara nga qeveria shqiptare sipas strategjisë së saj.
Deputetja socialiste, Milva Ekonomi ka paralajmëruar në mbledhjen e konferencës shtyrjen e procesit të Censusit, duke shtuar edhe arsyet se pse nuk mund të realizohet në këtë vit.
“Dua të ngre një shqetësim, se në kalendar kemi pasur projektligjin “Për censusin e popullsisë”. Unë dhe teknikët e tjerë mendojmë se nuk është viti për të bërë censusin, është pak e vështirë pasi është direkt pas tërmetit. Është më mirë që ta shtyjmë”, ka deklaruar Ekonomi në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura. Tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar jo pak pasoja ekonomike dhe dëmtime të dhjetëra e qindrave banesave në të paktën katër qarqe të vendit Durrës, Tiranë, Lezhë dhe Elbasan.
Në procesverbalin e siguruar, deputetja socialiste ka ngritur shqetësimin gjithashtu se me shtyrjen e këtij procesi të ri të regjistrimit mund të ketë edhe pasoja financiare, pasi mund të digjen fondet e akorduara nga Bashkimi Europian që janë parashikuar në buxhetin e shtetit për t’u përdorur për këtë vit.
“Ndërkohë Bashkimi Europian thotë se “kemi angazhuar për ju para të cilat janë rreth 4 milionë e 800 mijë euro dhe janë të angazhuar në buxhet”. Nëse nuk ka qoftë dhe një akt ku qeveria tregon se është e gatshme për të bërë regjistrimin qoftë dhe në një datë tjetër, këto para do të tërhiqen nga buxheti. Në këto kushte unë mendoj se është më mirë që ne të kalojmë ligjin dhe të themi që do të merret vendimi për datën me vendim të Këshillit të Ministrave, por të mos i japim mundësi që të tërheqin paratë, pasi ikin nga buxheti. Mbase duhet ta risjellim në kalendar!”, ka theksuar Ekonomi.
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kërkuar që për këtë çështje të diskutohet paraprakisht me qeverinë, e më pas të vendoset për ta votuar ose jo projektligjin që prej dy vitesh ndodhet në sirtarët e Kuvendit.
Debati me dyer të mbyllura në Konferencën e Kryetarëve
Gramoz Ruçi – Mirëmëngjesi të gjithëve! Hapim mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve ku në rend të ditës kemi miratimin e projektkalendarit 3-javor të punimeve të Kuvendit për periudhën 10 – 23 shkurt 2020. Me projektkalendarin jeni njohur paraprakisht në rrugë elektronike. Fjala për Ju zoti Murrizi.
Myslim Murrizi – Faleminderit Kryetar. Po shikoj se në kalendar nuk janë përfshirë ligjet që kemi propozuar ne. Janë dy nisma, ku njëra është propozuar nga 27 deputetë dhe tjetra nga 21 deputetë. Përse? Edhe projektligji “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore” dhe projektligji “Për mos marrjen pjesë në jetën publike të ish organeve të inkuizicionit”. Sillini dhe rrëzojini, çfarë ka? Nuk ka asnjë problem. Nuk i shoh fare në kalendar.
Aida Shllaku – Janë parashikuar si punë në komisione në programin e punës së Kuvendit si edhe në këtë draft që kini përpara (pika 26 dhe 27).
Ulsi Manja – Një shpjegim do të doja të citoja në lidhje me shqetësimin e zotit Murrizi. Në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve u vendos bashkimi i të dy nismave, pra i nismës së zotit Murrizi për datën 21 dhe i deputetit të Pogradecit në datën 7. Ato janë punë në komision dhe i kam marrë të dy nismat dhe i kam kërkuar të shprehet qeveria për këtë të dytën, pra për datën 7. Sapo të shprehet qeveria për projektligjin e datës 7, pasi janë bashkuar në një të vetme të dy nismat, pasi bëhet fjalë për të ndërhyrë në të njëjtin ligj, pra për ligjin “Për festat zyrtare” do të kalojë në komisionin e Ligjeve. Kjo është për datën 21 dhe datën 7 presim të shprehet qeveria për njërin nga këto dy projektligje pasi për të parin është shprehur.
Taulant Balla – Projektligjin “Për shtetësinë” përse nuk e përmbyllim?
Merita Qato – Projektligji “Për shtetësinë” është në shqyrtim në komisionin e Sigurisë Kombëtare.
Taulant Balla – Kam një propozim për seancën. Mirëkuptoj qeverinë që na ka detyruar me të drejtë që të bëjmë seancë në javën e gjelbër, por mirë do të ishte që seanca të bëhet të mërkurën për shkak të një konference ndërkombëtare, e cila është në datë 14 shkurt dhe një pjesë e madhe e deputetëve do të jenë të angazhuar në këtë konferencë. Ndaj do të propozoja që seanca të zhvillohej në datë 12 shkurt e mërkurë ora 10.00.
Milva Ekonomi – Dua të ngre një shqetësim, se në kalendar kemi pasur projektligjin “Për censusin e popullsisë”. Unë dhe teknikët e tjerë mendojmë se nuk është viti për të bërë censusin, është pak e vështirë pasi është direkt pas tërmetit. Është më mirë që ta shtyjmë. Ndërkohë Bashkimi Europian thotë se: – Unë kam angazhuar për ju para të cilat janë rreth 4 milion e 800 mijë euro dhe janë të angazhuar në buxhet. Nëse nuk ka qoftë dhe një akt ku qeveria tregon se është e gatshme për të bërë regjistrimin qoftë dhe në një datë tjetër, këto para do të tërhiqen nga buxheti. Në këto kushte unë mendoj se është më mirë që ne të kalojmë ligjin dhe të themi që do të merret vendimi për datën me vendim të Këshillit të Ministrave, por të mos i japim mundësi që të tërheqin paratë, pasi ikin nga buxheti. Mbase duhet ta risjellim në kalendar!
Taulant Balla – Bëni një diskutim me qeverinë paraprakisht dhe më pas ejani në Konferencë të Kryetarëve që ta përfshijmë.
Klodiana Spahiu – Janë dy projektligje që janë në kalendar, respektivisht në datat 13 dhe 20 shkurt, projektligji “Për pajisjet mjekësore” dhe projektligji “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” për të cilat ne po presim opinionin e qeverisë sepse kanë kosto financiare. Janë propozime deputetësh dhe në fakt ka kaluar afati. Jam munduar të komunikoj me to por ka ngelur në ministrinë e Drejtësisë opinioni i tyre. Po mundohemi që ta realizojmë dhe ta bëjmë gati për datën 12 shkurt. Edhe diçka tjetër, ku edhe me dakortësinë e kryetarit të komisionit nëse është e mundur të kalojmë në komision dy projektligje, “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve
politikë” dhe “Për ndryshimet klimatike”. Do të doja të shtoja edhe një shqetësim tjetër të cilin e kam personal, ku nisur nga ngjarjet e fundit që po ndodhin, referuar më saktë ngjarjes së Durrësit me vrasjen e një gruaje të re. Ngjarje të tilla kohët e fundit janë bërë shumë shqetësuese. Në këto kushte brenda edhe mundësive, propozimi i një grupi deputetësh të komisionit të Ligjeve për ndryshim në “Kodin Penal” në lidhje më dhunën ndaj gruas, të kalojë në mënyrë të përshpejtuar.
Ulsi Manja – Është ligj më 3/5 pra shumicë të cilësuar dhe nuk mund të kalojë me procedurë të përshpejtuar. Do të ndjekë procedurën parlamentare, dy javë nga depozitimi. Depozitimi i saj është bërë në datë 20 janar. Sapo të vijë në afatet që ka Rregullorja menjëherë e kalojmë pasi vetëm dy ndryshime janë.
Gramoz Ruçi – Mendime dhe sugjerime të tjera në lidhje me kalendarin keni? E mbyllim këtu për të vazhduar me seancën plenare.