Çështja “Beleri”, Rama: Jo që një vend i huaj të bëjë komente për sistemin e drejtësisë së një vendi tjetër
Kryeministri Edi Rama theksoi sot se “nuk jam dakord që një vend i huaj, një qeveri e huaj të bëjë komente të thella rreth veprimeve të sistemit të drejtësisë së një vendi tjetër, edhe duke qenë vende mjaft mike”.
Në intervistën për gazetën prestigjioze greke “Kathimerini” me gazetarin Pavlos Papadopoulo, i pyetur për çështjen Beleri, Rama tha se “sipas meje, kjo nuk është europiane! Si fillim, duhet të bazohemi në atë që ne dimë, sepse nuk dimë gjithçka. Do marrim vesh çdo gjë kur prokuroria e posaçme të paraqesë provat e plota në gjykatë dhe ende nuk kemi shkuar aty. Por, mbështetur në atë që dimë, ai u kap në flagrancë, pra u kap në veprim e sipër të blerjes së votave, sigurisht me rrjetin e tij të blerjes së votës”.
“Së dyti, leja – sepse këtu është përqendruar vëmendja tani – e drejta për të marrë leje për të bërë betimin. Pikë së pari, në këtë pikë të dytë, askund në legjislacionin shqiptar nuk ekziston kompetenca e qeverisë ose e kryeministrit të nxjerrë leje për një të ndaluar në paraburgim – në paraburgim (e theksoj) – që të dalë nga burgu. Kjo nuk ekziston. Nga ana tjetër, ai, avokatët e tij apo kushdo qoftë duhej të kalonin përmes gjykatës për ta kërkuar këtë gjë, e cila më duhet t’ju rithem nuk ekziston në legjislacionin shqiptar. Nuk ka diçka të tillë që dikush të marrë leje për të bërë betimin, ndërkohë që është në paraburgim për një krim në flagrancë dhe gjykata e ka refuzuar tashmë. Së treti, ju thatë se arsyeja e tretë, nëse nuk e kam gabim, ishte burgosja e një kryetari të zgjedhur bashkie, kështu?”, nënvizoi Rama.
Pyetjes se Beleri mbahet i burgosur ndërkohë që nuk mund ta kryejë të njëjtin krim sërish, Rama iu përgjigj se “po, por çështja është se mbështetur në sa mund të kuptojmë nga ajo që ka ndodhur sa i takon procesit, ai është burgosur sepse në të tria nivelet e gjyqësorit të Republikës së Shqipërisë, në shkallën e parë, në apel dhe në Gjykatën e Lartë, ai nuk u la i lirë. Ndaj, pyetja ime është shumë e thjeshtë: “Ku hyj unë dhe ku hyn qeveria shqiptare në të gjithë këtë?” Tani, do ju jap pak kontekst. Ky sistem, që do të thotë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë krijuar në zbatim të një reforme në drejtësi që, nga “A”-ja në “Zh”, u konceptua, u hartua, u miratua dhe nisi të zbatohej nën monitorimin e rreptë të Bashkimit Europian dhe me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, përfshi Greqinë dhe janë këto organizma që kanë vendosur për paraburgimin, të katër a pesë ish-kryetarëve të bashkive të Partisë Socialiste të Shqipërisë, nëse nuk gaboj numërimin”.
“Tri ditë përpara nisjes së fushatës, një kryebashkiak i Partisë Socialiste të Shqipërisë, i cili ishte kandidat, u arrestua dhe u la në paraburgim dhe nuk jam i sigurt nëse, që atëherë, është çuar përpara gjykatës”, tha Rama.