Çështjet e nxehta, Marku shtrëngon informacionet
Pas daljes së përgjimeve për dosjet 339 të Durrësit dhe 184 të Dibrës për krimet zgjedhore, Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku ka shtrënguar informacionet për mediat. ”Report TV”, ka publikuar udhëzimin e plotë me 30 nene që Arta Marku ka firmosur në datë 30 korrik, pra pak ditë më parë.
Marku në nenin 10 kërkon ndalimin e publikimit të çdo informacioni nga organi i akuzës për çdo çështje deri në përfundim të hetimeve paraprake ose kur gjyqi bëhet me dyer të mbyllura në raste të veçanta sikur ndodh në të gjithë botës. Shqetësimi kryesor lidhet me dy pikat e para të këtij neni që ndalojnë publikimin e akteve hetimore sekrete dhe jo sekrete deri në përfundimin e hetimeve paraprake. Udhëzimin e ndanë një fije e hollë nga censura, pasi më këtë vendim rrezikohet që edhe një arrestim mund të mbahet sekret.
Udhëzimi i Markut vjen pas kritikave të herëpashershme ndaj prokurorëve. Në analizën vjetore për 2018 shefja e organit të akuzës u bëri një ”dush të ftohtë” prokurorëve në Prokurorinë për Krime të Rënda. Marku tha asokohe se disa prokurorë kanë nxjerrë dokumente sekrete, ndërsa u bëri thirrje atyre që të mbajnë larg gazetarët, pasi ata nuk janë pjesë e grupit hetimor.