Çfarë dihet deri tani për COVID-19? Analiza e studjuesit shqiptar në institutin e Akademisë së Shkencave të Hungarisë
Nga Erand Llanaj PhD (*Researcher Public Health Research Institute of the MTA-DE Group, Hungarian Academy of Sciences, Hungary)
Duke qenë se shpërthimi epidemik nga infeksioni i COVID-19 vazhdon të evoluojë, është krijuar një vështirësi në transmetimin e informacionit shkencor dhe faktik. Megjithatë, për ta kuptuar më mirë situatën aktuale, do të përdorim një infeksion tjetër viral të ngjashëm e të njohur për publikun, për të qartësuar situatën për koronavirusin e ri (SARS–CoV–2 ose nCoV-2019).
Më poshtë do të bëhet një krahasim i hollësishëm me një zhargon të thjeshtë për publikun e gjerë, që bazohet në të dhënat zyrtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të gjitha burimet përkatëse do të vihen në dispozicion për lexuesin që ka dëshirë të thellohet më tej, por edhe për individë që janë të përfshirë drejtpërdrejt në kontrollin dhe monitorimin e COVID-2019.
Fillimisht, edhe virusi i gripit (në zhargonin mjekësor influenca) edhe koronavirusi i ri shkaktojnë kushte shëndetësore që prekin kryesisht traktin respirator (aparatin e frymëmarrjes), por ekzistojnë ndryshime të rëndësishme ndërmjet dy viruseve sëmundjeshkaktues, kryesisht në mënyrën se si ato përhapen. Kjo ka një rëndësi thelbësore për shëndetin publik dhe masat që mund të merren në përgjigje të shpërthimeve epidemike respektive. Në përgjithësi, viruset çaktivizohen (denatyrojnë) me rritjen e temperaturës së mjedisit: viruset mund të qëndrojnë të padëmtuara në natyrë në temperaturën 4 ◦C ose për më gjatë në 10 ◦C, por kur temperaturat afrohen pranë 30 ◦C, ato përgjithësisht çaktivizohen.
Në ç’mënyrë ngjasojnë gripi sezonal me koronavirusin?
Së pari, virusi që shkakton infeksionin nga koronavirusi i ri (për lehtësi këtij infeksioni do t’i referohemi si COVID-19 në vazhdim) dhe ai që shkakton gripin sezonal kanë një paraqitje simptomatologjike të ngjashme. Kjo ngjashmëri lidhet me faktin se të dy viruset shkaktojnë simptoma kryesisht në aparatin e frymëmarrjes, simptoma këto të cilat mund të jenë të një spektri të gjerë, nga ato pa simptoma fare ose të butat (kollë, sputum, etj.) e deri tek ato më të ashprat (vështirësi të mëdha në frymëmarrje, shok septik, etj.), por këto të fundit janë të rralla.
Së dyti, të dy viruset transmetohen nëpërmjet kontaktit, spërklave, sekrecioneve dhe atyre që në zhargonin profesional quhen ‘fomite’ (=të gjitha objektet që mundësojnë transmetimin e virusit të tilla si qelizat e lëkurës, rrobat, flokët ose çarçafët). Për pasojë, duhet të merren të njëjtat masa klasike të shëndetit publik, të tilla si higjiena e duarve (shih video të hollësishme këtu: https://www.bbc.com/news/av/health-51754472/coronavirus-how-to-wash-your-hands-in-20-seconds) dhe rregullat bazike të edukatës respiratore (kur kollitemi apo teshtijmë, të vendosim gropëzën e bërrylit para fytyrës ose një kartopecetë, të cilën duhet ta hedhim menjëherë në kosh të mbyllur pas përdorimit).
Ku ndryshon gripi prej COVID-19?
Shpejtësia e transmetimit është një pikë referimi informuese për të kuptuar më mirë diferencën ndërmjet këtyre dy viruseve. Gripi ka një periudhë mesatare inkubimi më të shkurtër (koha prej infektimit e deri te shfaqja e simptomave) dhe një interval serial më të vogël (koha ndërmjet rasteve pasuese të infektuara) krahasuar me COVID-19. Ky interval serial në rastin e COVID-19, sipas vlerësimeve më serioze, ka një kohëzgjatje 5-6 ditë, ndërkohë që në rastin e virusit të gripit, intervali serial është 3 ditë. Kjo do të thotë se gripi mund të përhapet më shpejt se COVID-19.
Më tej, transmetimi i virusit gjatë 3-5 ditëve të para pas infektimit, ose ndryshe transmisioni potencial pre-simptomatik (transmetimi i virusit përpara shfaqjes së simptomave) është një faktor madhor në përhapjen e gripit. Në rastin e COVID-19, edhe pse ka raste të cilat transmetojnë virusin brenda 24-48 orëve përpara se simptomat të shfaqen, për momentin, kjo nuk duket se përbën një faktor madhor të transmetimit.
Një tjetër indikator i dobishëm është edhe numri riprodhues (numri i infeksioneve dytësore të gjeneruara prej një individ që është infektuar). Në rastin e virusit të COVID-19 është ndërmjet 2 dhe 2.5, shifër që është më e lartë se në rastin e gripit. Megjithatë, duhet të kuptojmë se vlerësime të hollësishme për këta indikatorë varen edhe prej kontekstit dhe kohës, gjë që e vështirëson krahasimin e drejtpërdrejtë të dy viruseve në këtë aspekt.
Fëmijët, janë një vektor (=transportues të infeksionit) i rëndësishëm në rastin e përhapjes së gripit në komunitet. Për virusin e COVID-19, të dhënat paraprake tregojnë se fëmijët janë më pak të prekur në krahasim me të rriturit dhe niveli i sulmit klinik në moshat 0-19 vjeç është më i ulët, në krahasim me pjesën tjetër të popullatës. Më tej, të dhënat paraprake nga studime në familje kineze të prekura, sugjerojnë se drejtimi më i shpeshtë i transmetimit është prej të rriturve te fëmijët, ndryshe nga gripi sezonal ku ndodh e kundërta.
Ndërkohë që spektri i simptomave për të dy viruset është i ngjashëm, fraksioni i rasteve me ashpërsim të simptomatologjisë është i ndryshëm. Për COVID-19, të dhënat tregojnë se:
80% e infeksioneve klasifikohen si të buta ose pa simptoma (=asimptomatike),
15% kanë infeksione të rënda që kërkojnë oksigjen dhe vetëm
5% klasifikohen si infeksione kritike, të cilat kanë nevojë për ventilim klinik. Këto fraksione të infeksioneve të rënda apo kritike janë më të larta në krahasim me infeksionin e gripit.
Ata të cilët rrezikohen më së shumti nga infeksioni i gripit janë fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe individët, të cilët kanë kushte shëndetësore kronike ekzistuese dhe ata të cilët kanë imunitet të dobët (=imunosupresuar). Për COVID-19, kuptueshmëria aktuale epidemiologjike sugjeron se mosha e tretë (65+ vjeç) dhe kushtet shëndetësore kronike ekzistuese shtojnë rrezikun për një infeksion më të ashpër.
Vdekshmëria nga COVID-19 është aktualisht më e lartë se ajo e gripit, veçanërisht krahasuar me gripin sezonal. Megjithatë, gripi sezonal shkaktoi në 2018 botërisht vdekjen e afro 61,000 personave sipas CDC-së dhe masat e marra në rastin e COVID-2019 janë optimale në çdo vend të prekur, përfshirë dhe Shqipërinë.
Vdekshmëria e vërtetë e COVID-19 mund të jetë e mbivlerësuar për shkak të pranisë së rasteve me kushte shëndetësore ekzistuese dhe rasteve me një moshë relativisht të lartë. Megjithatë, edhe pse nevojitet më tepër kohë për ta konfirmuar këtë shifër, të dhënat aktuale dëshmojnë për një nivel vdekshmërie krudo rreth 3-4% (numri i individëve që janë raportuar të vdekur pjesëtuar me rastet totale të raportuara), ndërkohë që niveli i vdekshmërisë prej infeksionit (numri i vdekjeve të raportuara pjesëtuar me numrin e infeksioneve) është më i ulët. Për gripin sezonal, vdekshmëria është zakonisht nën 0.1%. Megjithatë, duhet të kuptojmë se në të dyja rastet niveli vdekshmërisë diktohet nga aksesi dhe cilësia e shërbimit shëndetësor.
Cilat janë masat klinike të disponueshme që ndërmerren për COVID-19 dhe viruset e gripit?
Ndërkohë që ekziston një numër i madh përqasjesh terapeutike (=trajtuese) në prova klinike aktuale që janë duke ndodhur në Kinë dhe më shumë se 20 vaksina në testim e sipër për COVID-19, ende nuk ekzistojnë vaksina ose terapi të licencuara për COVID-19. Nga ana tjetër, antiviralët dhe vaksinat janë lehtësisht të disponueshme për gripin. Edhe pse vaksina e gripit sezonal nuk është efektive në mbrojtjen kundër virusit CVOID-19, është jashtëzakonisht e rëndësishme që ju të vaksinoheni çdo vit për të parandaluar infeksionin e gripit.
Duke qenë se Shqipëria është tashmë pjesë e vendeve të prekura nga COVID-19 është e kuptueshme se shumë prej jush mund të ndjeni ankth apo frikë për këtë fakt. Megjithatë, është e rëndësishme që të mirinformoheni dhe t’i drejtoheni shërbimit shëndetësor. Nëse mendoni se keni pasur kontakte të afërta me individë të infektuar me koronavirus dhe paraqisni simptomat e lartpërmendura, atëherë duhet të telefononi menjëherë numrin e vënë në dispozicion nga emergjenca kombëtare 127, dhe të informoheni për hapat e mëtejshëm. Platforma HEDA Albania ka publikuar disa artikuj dhe figura informuese për publikun e gjerë (http://www.heda.al).