Çfarë do të ndodhë pas gushtit?
Nga Spartak Ngjela
Çfarë?
Kjo është një pyetje universale…
Atëherë le të fillojmë
Qetësia e pushimeve nuk e ndalon mendjen që të mendojë, te gjithsecili që di të mendojë mëvetësisht .
E pra, gjithkush në këto pushime dhe që është shqiptar mendon:
Kur të kthehem nga pushimet, çfarë?
Kur të mendoj për të ardhmen time, çfarë?
Kur të kujtohemi se asgjë nuk ndryshon nëse ti nuk je vetë i aftë ta ndryshosh, e pra, çfarë?
Kur të bindesh se gruaja apo e dashura po të tradhton, me kë dhe, për çfarë?
Kur të kuptosh se të gjithë gënjejnë dhe asgjë nuk është tanimë e vërtetë në Shqipëri, e pra, për çfarë?
Kur të kuptosh se askush nuk të jep të drejtë pa interes, për çfarë atëherë… të duhet e drejta?
Kur të shohësh se midis teje dhe të tjerëve në Shqipëri nuk ka një nyje lidhëse që të jetë e barabartë për të gjithë, dhe të na lidhë të paktën për një çështje themelore që nuk ka të bëjë me jetën tënde, çfarë?
Kur e vërteta nuk është e lirë, liria nuk është e vërtetë, por, kur e vërteta nuk pranohet nga të gjithë, çfarë ndodh?
Po në një vend ku e vërteta është e lirë, por atë e mallkojnë të gjithë, çfarë ndodh?
Po në një shoqëri ku gënjeshtra është krijimi që mban gjallë shoqërinë, ku qëndron zhvillimi?
Zhvillimi ecën me të vërtetën dhe shkencën, por kur këto të dyja nuk pranohen nga krejt një shoqëri, çfarë ndodh?
E thjeshtë është… se…
Midis njërit dhe asnjërit, qëndron pafundësia, dhe, kur në një shoqëri adhurohet gënjeshtra, njëri gjithmonë qëndron përballë asnjërit; domethënë se në këtë shoqëri nuk ka asnjë njeri që mendon drejt, dhe, atëherë, çfarë ndodh aty?
Të gjithë që merren me pafundësinë, nuk thonë asgjë por vazhdojnë jetën drejt të pafundmes pa e ditur se kjo nuk konceptohet dot.
Atëherë?
Asgjë.
Hiç.
Dhe këtu na dalin në ndihmë latinët e mëdhenj që na kanë thënë: ex nihilo nihil fit: nga asgjëja, vjen asgjë.
E pra, kjo duket se është gjendja jonë shoqërore sot në Shqipëri: nga asgjëja në asgjë.