Çfarë do të ruajë ushtria tashmë që 10 milion eurot u vodhën?
Dy ditë më parë në aeroportin e Rinasit u regjistrua një grabitje spektakolare. Katër persona të maskuar, grabitën 10 milion euro nga barku i avionit “Austrian Airlines”. Paratë i përkisnin disa bankave të nivelit të dytë.
Kryeministri Edi Rama dhe segmente të tjera të qeverisë ia vunë fajin konçesionarit, ndërsa pohuan se vendi nuk është në gjendje të jashtëzakonshmë dhe as nuk është cënuar siguria kombëtare. Rama njoftoi gjithashtu se sigurinë në Rinas tashmë do t’ja besojë ushtrisë.
Pa u mbushur 24 orë nga njoftimi i Ramës, forca të shumta ushtrie kanë nisur të lokalizohen në aeroportin e Rinasit, edhe pse Shqipëria nuk ndodhet në gjendje lufte. Në të gjithë aeroportin e Rinasit shihen makina e ushtrisë dhe ushtarët, të cilët janë pozicionuar në portat hyrëse.
Lind pyetja, nëse vendi nuk do të ishte në gjendje të jashtëzakonshme, përse Rinasi duhet të rrethohet nga ushtria? Aq më tepër kur kushtetuta e përcakton qartë se ushtria angazhohet vetëm në rastet kur parlamenti shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Kjo tregon se zjarri është shuar, por tymi ka mbetur ende.
Çfarë i mbetet ushtrisë për të ruajtur, tashmë që 10 milion eurot u vodhën? Përse qeveria kërkon të duket e përgjegjshme tashmë që dëmi u bë, kur çështjet e sigurisë duhet të ishin zgjidhur më parë? Shqiptarët nuk duan që të dëgjojnë palët të grinden, duke u munduar t’ja ngecin fajin njëri-tjetrit, por dikush duhet të ngrihet në lartësinë e duhur për të marrë përsipër përgjegjësinë dhe të mos mbetemi edhe këtë herë te shprehja “Faji është jetim”./Joq/
KOHA JONË SONDAZH

