Çfarë është një markë tregtare dhe si mbrohet ajo: Gjithçka që duhet të dini
Një markë e suksesshme është e përshtatshme, dinamike, e dallueshme, e paharrueshme dhe unike! -Primo Angeli-
Çfarë është një markë tregtare?
Markat tregtare dhe të shërbimit janë shenja që kanë si funksion kryesor të bëjnë të mundur në treg të dallohen mallrat dhe shërbimet e një subjekti nga një tjetër. Markat janë të lidhura shumë me mallrat mbi të cilat vendoset ose me marketingun që u bëhet atyre. P.sh. marka mund të vendoset mbi vetë mallrat, por edhe në kontenierin për transport apo në stendat e shitjes, në reklamat vendeve ku ato prodhohen.
Një shenjë që të jetë e regjistrueshme duhet të plotësojë kriterin e dallueshmërisë. Kjo do të thotë që marka duhet të jetë aftë të orientojë konsumatorin në treg për të dalluar një grup mallrash dhe shërbimesh specifike, nga një tjetër grup mallrash dhe shërbimesh, të njëjta me të parat, e lidhur, përkatësisht, me origjinën tregtare të tyre. Karakteri dallues i një shenje vlerësohet në lidhje të ngushtë me mallrat dhe shërbimet, të cilat shenja ka për qëllim t’i dallojë. Markat mbrohen nëpërmjet regjistrimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale (DPPI).
Sa zgjat mbrojtja e një marke?
Mbrojtja jepet për një periudhë 10-vjeçare, e cila mund të ripërtërihet kundrejt pagesës së një tarife, pafundësisht çdo 10-vjet.
Për çfarë mallrash dhe shërbimesh mbrohen markat?
Markat mbrohen për të gjitha llojet e mallrave dhe shërbimeve që hidhen në treg dhe janë të lira në qarkullimin civil. Këto mallra dhe shërbime janë klasifikuar në 45 klasa në bazë të Konventës së Nicës për Klasifikimin Ndërkombëtar të Mallrave dhe Shërbimeve. Ky quhet Klasifikimi i Nicës dhe zbatohet nga të gjitha vendet anëtare të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale.
Cilat shenja përbëjnë markë?
Një markë mund të jetë çdo shenjë, në veçanti fjalët, duke përfshirë emrat personalë ose disenjimet, shkronjat, numrat, ngjyrat, formën e mallrave ose të paketimeve të tyre ose tingujt.
Cilat shenja nuk mrohen si markë?
Jo çdo shenjë mund të mbrohet si markë.
Disa të tilla janë:
• shenjat të cilat janë përshkruese për llojin, cilësinë, sasinë, qëllimin, vlerën, origjinën gjeografike ose kohën e prodhimit të mallrave apo të kryerjes së shërbimeve.
• shenja të cilat konsistojnë në forma ose vija, të imponuara nga vetë natyra e mallrave apo e shërbimeve dhe/ose forma apo linja thelbësore, për të përmbushur një rezultat teknik.
• Shenja që cenojnë interesin publik ose që bien në kundërshtim me vlerat morale apo rendin publik.
• Shenja që kanë prirje të çorientojnë publikun për natyrën, cilësinë, origjinën gjeografike ose tregtare të mallrave dhe/ose shërbimeve.
• Shenja që përbëhen nga emra shtetesh,emblema shtetërore, medalje, urdhra nderi, vula dhe shenja zyrtare të miratuara nga vendi, emblemat e organizatave të njohura ndërkombëtare ose shkurtimet e tyre, simbolet fetare, flamujt kombëtarë.
Një shenjë nuk përjashtohet nga regjistrimi si markë kur ka fituar karakter dallues në procesin e përdorimit përpara datës së aplikimit.
Si duhet zgjedhur marka?
Kur zgjidhni një markë duhet të jeni të kujdesshëm që marka mos të bjerë ndesh me të drejtat e mëparshme mbi markat e subjekteve të tjera. Kjo do të thotë që marka juaj nuk duhet të jetë e njëjtë apo e ngjashme me markat e regjistruara apo në përdorim të një personi tjetër, sepse në të ardhmen mund të gjenerojnë konflikte ligjore të cilat do kushtojnë në kohë dhe kosto monetare.
Zgjidhni një markë që të prezantojë sa më mirë biznesin tuaj në mënyrë që ajo të jetë e lehtë për tu mbajtur mend, shqiptuar dhe të jetë tërheqëse dhe joshëse për syrin e konsumatorit.
Në përgjithësi, një markë e llojit fjalë jep mbrojtje më të gjerë për markën tuaj. Sugjerohet që për të siguruar një mbrojtje më të gjerë të kryhen aplikimet për mbrojtjen e markave në disa lloje të saj si: marka “fjalë”, marka “figure” dhe marka “fjalë dhe figurë”.
Gjithashtu krijimi i një slogani të kompanisë mund t’ju japë dallueshmëri dhe reputacion në treg. Një slogan i cili nuk është përshkrues mund të regjistrohet si markë.
Marka duhet përdorur e njëjtë ashtu siç është regjistruar.
Regjistrimi ju bën pronarë të markës tuaj!
• Në momentin që i hidhni produktet në treg nën markën tuaj, vendosni shenjën TM mbi të.
• Nëse reklamoni në ekspozita apo panaire produktet me markën tuaj, do të fitoni datë prioriteti nëse brenda 6-muajve aplikoni në DPPI për regjistrim të markës.
• Aplikoni për të regjistruar markën tuaj në DPPI dhe do të mund të përdorni shenjën ® që tregon se marka është e regjistruar. Ky është investim i rëndësishëm mbi markën e biznesit tuaj.
Pse duhet të aplikoni për të regjistruar një markë?
• Në botën e biznesit që ndryshon dhe konkurrencën gjithnjë në rritje, duhen të ndërrmerren hapa për të mbrojtur logot e produkteve dhe të shërbimeve që përfaqësojnë biznesin tuaj, në mënyrë që të shmangen situata abuzuese, ku personat të pa autorizuar përdorin reputacionin, apo emrin e mirë të biznesit tuaj, prandaj Mbroni markat tuaja!
• Marka kthehet në aset për kompaninë dhe burime të ardhurash vetëm pas regjistrimit pranë DPPI.
• Regjistrimi i një marke bën që konsumatorët të zgjedhin midis produkteve në treg.
• Regjistrimi i jep të drejtë ekskluzive pronarit të markës që të ndalojë marketingun e produkteve në të njejtën markë apo nën marka të ngjashme me të.
• Vetëm pronari i një marke të regjistruar mund të kërkojë pranë organeve të ruajtjes së rendit apo pikave doganore ndalimin e kalimit dhe hedhjen në treg të produkteve të falsifikuara nën këtë markë.
• Marka e regjistruar promovon besnikërinë e konsumatorit.
• Marka e regjistruar mund të kërkojë shtrirje të mbrojtjes edhe në tregjet ndërkombëtare.
• Markat e regjistruara mund të licensohen ose të jenë bazë për një marrëveshje franchising.
• Markat e regjistruara janë një mjet marketingu dhe një bazë për të krijuar një emër të mirë dhe reputacion për kompaninë.
• Markat e regjistruara nxisin kompaninë që të investojë në ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë të prodhimeve të saj.
Cilat janë të drejtat e pronarit të një marke të regjistruar?
• Ndalon palët e treta të përdorin një marke identike apo të ngjashme me markën e regjistruar për produkte / shërbime identike apo të ngjashme.
• Fiton të drejtën e shitjes së markës duke siguruar fitime.
• Autorizon palë të treta të përdorin markën në përputhje me mallrat apo shërbimet për të cilat ato regjistrohen.
• Dallon biznesin e tij nga bizneset e tjera dhe krijon identitetin unik në treg.
• Mund t’ia japë për përdorim palëve të treta në bazë të kushteve të rëna dakord në një kontratë licence të nënshkruar mes paleve.
• Ndalon importimin e mallrave kontrabandë duke paraqitur një ankesë në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
• I drejtohet Prokurorisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Gjykatës, Inspektoratit të Mbikqyrjes së Tregut në rast konstatimi shkelje të të drejtave, tregtimi i produkteve fallco nën markën e tij.
• Regjistrimi në DPPI shërben si bazë për regjistrimet në vende të tjera të markës në rast eksportimi të mallrave jashtë vendit.
Cili është roli i DPPI në regjistrimin e markave?
• DPPI ekzaminon në përputhje me kërkesat e ligjit rregullueshmërinë e aplikimit të pranuar dhe lëshon dëshminë e depozitimit.
• DPPI publikon në mënyrë periodike buletinët me të dhëna mbi aplikimet që janë depozituar për regjistrim. Në këtë mënyrë çdo person që konstaton se këto aplikime bien ndesh me të drejtat e tij të mëparshme mundet që brenda tre muajve nga data e publikimit të buletinit përkatës të depozitojë një kërkesë për kundërshtim të regjistrimit, si një mundësi mjaft efikase për zgjidhjen e konflikteve që mund të lindin mbi markat.
• Nëse marka kundështohet nga një palë e tretë, aplikanti ka të drejtë t’i drejtohet Dhomës së Shqyrtimit të Kundërshtimve dhe më pas Bordit të Apelimit të DPPI. Vendimi i Bordit të Apelimit mund të apelohet në gjykatë.
• Aplikanti mund të apelojë në Dhomën e Shqyrtimit të Kundërshtimve dhe në Bordin e Apelimit edhe vendimin e ekzaminuesit në rast refuzimi të markës .
• Aplikimi për ripërtëritjen e regjistrimit bëhet çdo 10 vjet. Në rast se marka nuk ripërtërihet, fshihet nga regjistri.
• Aplikimet për regjistrim ndërkombëtar të markave paraqiten në DPPI pas marrjes së një dëshmie depozitimi.
Çfarë përmban një aplikim për regjistrim marke?
• Aplikimi për regjistrin e markës duhet të përmbajë elementet e mëposhtëm :
• Emrin dhe adresën e aplikantit;
• Pamjen e markës për të cilën kërkohet regjistrimi;
• Një listë të mallrave dhe /ose të shërbimeve për të cilat kërkohet regjistrimi;
• Dokumentin që vërteton pagesën e tarifës së caktuar të depozitimit;
• Autorizimin e përfaqësimit në rast se kërkesa paraqitet nga përfaqësuesi i aplikantit;
• Në rast kur marka është kolektive, dokumentin mbi rregullat e markës;
• Elemente të tjerë janë ato të formularit të FM1 dhe të paraqitura në rregulloren e markave.
A mjafton regjistrimi i markës për ta mbrojtur atë?
Pronari i markës së regjistruar duhet ta përdorë markën brenda një periudhe 5-vjeçare nga data e regjistrimit të saj. Në rast të kundërt, mospërdorimi i markës brenda kësaj periudhe mund të rezultojë në humbjen e të drejtave mbi markën dhe fshirjen e regjistrimit me kërkesë të një pale të tretë.
Në këtë rast pronari i markës nuk ka të drejtë të kundërshtojë përdorimin e një marke të regjistruar më vonë, nga një palë e tretë, nëse nuk paraqet shkaqe të arsyeshme për mos përdorimin apo mos hedhjen në treg.
Pronari i markës së regjistruar duhet që vazhdimisht të kontrollojë buletinet e publikuara nga DPPI me aplikimet për regjistim markash, në mënyrë që të kundërshtojë regjistrimin e tyre pranë DPPI.
Pronari i markës duhet t’u drejtohet institucioneve përkatëse (prokuroria, policia, dogana, Inspektoriati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut dhe Gjykata) për mbrojtjen e markës nga personat që kopjojnë apo falsifikojnë markën në treg.
BAZA LIGJORE
Ligji 9947 datë 07.07.2008 ‘’Për Pronësinë Industriale’’, i ndryshuar dhe Rregulloret në zbatim të tij.
Për Informacion të mëtejshëm drejtohuni pranë DPPI:
Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale ofron falas informacion dhe asistencë për aplikimet për regjistrimin e objekteve të Pronësisë Industriale.
Adresa: Bulevardi ‘Zhan D’Ark’ Ish Shtëpia e Ushtarakëve, Prona nr. 33 – Tiranë kati i I-rë, nga ora 08:00 deri më 16:30, (të premten 08:00 deri më 14:00)
e-mail: [email protected]
website: www.dppm.gov.al ,
Facebook: “Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale”
Twitter: @DPPI
KOHA JONË SONDAZH

