Çfarë ka ndodhur me lejet e ndërtimit? – Janë rritur kostot dhe procedurat nga 220 në 2017

Një ndër shkaktarët kryesorë të rënies së Shqipërisë në renditjen e këtij viti të të bërit biznes nga Banka Botërore është aspekti që lidhet me lejet e ndërtimit. Në këtë drejtim, vendi ynë zë pozicionin e 166-të në botë, ndër 190 ekonomi, dhe ndër vite ka qenë `thembra e akilit`, jo vetëm në shifra e në këtë raport, por edhe konkretisht. Banka Botërore i mat lejet e ndërtimit duke pasur parasysh numrin e procedurave, kohën që duhet për të kryer këto procedura, si dhe koston e marrjes së lejes së ndërtimit. Në të tria rastet, krahasuar me një vit më parë, jemi përkeqësuar.

Procedurat janë 19 këtë vit, nga 18 një vit më parë. Për këdo që kërkon të marrë një leje ndërtimi, ndryshe nga çfarë ndodhte përpara vitit 2018, duhet të pajtojë edhe një supervisor për të mbikëqyrur punimet. Kosto e supervizorit është sa 25% e vlerës së dizajnit.

Edhe procedura e marrjes së planit urbanisitik ka ndryshuar, pasi është bërë me pagesë,ndryshe nga një vit më parë, ndërkohë që është ulur koha r pritjes, nag 30 ditë, në 10 të tilla.

Me 19 numër procedurash për të kryer për një leje ndërtimi, Shqipëria është larg mesatares së Europës dhe Azisë qendrore, që fiksohet në 16.2.  Ajo që shqetëson më shumë është numri i ditëve. Një investitor duhet të shpenzojë thuajse një vit për të marrë një leje ndërtimi, ose më saktë 324 ditë, nga 299 një vit më parë, ndërkohë që mesatarja e Europës dhe Azisë qendrore fiksohet në gjysmën e kësaj shifre, në 170 ditë.

Dy vite më parë, për të marrë një leje ndërtimi në Shqipëri duhet të prisje 220 ditë. Aspekti tjetër janë kostot. Edhe këtu kemi rritje.

Sipas Bankës Botërore, sot, për të marrë një leje ndërtimi në Shqipëri, duhet të shpenzosh sa 6.8% e kostos së ndërtimit, nga 5.6% që ishte kosto një vit më parë.

Krahasuar me Europën dhe Azinë qendrore ndërkohë, jemi bindshëm më mirë, pasi rreth nesh, investitorët paguajnë mesatarisht sa 12.1% e kostos së ndërtimit. Për të dalë në rezultate sa më të sakta, Banka Botërore në studim i ka bërë vlerësimet për të 190 ekonomitë, njësoj, duke supozuar se do të ndërtojë një magazinë 1300 metra katrorë, dy kate të lartë.

Në secilën prej ekonomive ka bërë përllogaritjet. Në rastin e Shqipërisë, investitori do të duhet të paguajë 1.9 milionë lekë për procedurat e lejes së ndërtimit. 11 ndër 19 procedurat janë me pagesë, ndërkohë që procedura që kushton më shumë është ajo e marrjes së lejes së  ndërtimit, pasi zë 75% të kostos totale për të marrë një leje.

Procedura e dytë më e shtrenjtë është pikërisht procedura e re, e miratuar në vitin 2015, ajo e detyrimit për të pajtuar një supervisor të jashtëm për punimet.

Më pas ndjek studimi gjeoteknik, me një kosto në 75 mijë lekë, ndërkohë që lidhja e kontratës së ujit ka një kosto prej 40 mijë lekësh. /Scan

SHKARKO APP