Çfarë ndjesie është të jesh e moshuar?

Një zonjë e shkuar në vite, tregon se një ditë, një i ri i bëri një pyetje, sa të pafajshme, aq dhe domethënëse: – Si është të jesh e moshuar?
U befasova shumë nga pyetja, pasi nuk e konsideroja veten të vjetër, siç nuk isha aq budallaqe sa të pranoja se jam ende grua e re, thotë ajo.
Kur i riu e pa reagimin tim, menjëherë ai u zu në faj, dhe unë e kuptova se ishte një pyetje pa të keq, dhe vijova duke i shpjeguar, se ishte një pyetje interesante, e cila meriton një përgjigje.
Dhe pas reflektimit, arrita në përfundimin se plakja është një dhuratë, siç ishte vite të shkuara rinia një sfidë, jo vetëm me hire, por edhe me beteja që duheshin bërë dhe luftëra që duheshin fituar.

Ndonjëherë habitem me personin që shihet në pasqyrën time.
Por unë, ka kohë që nuk shqetësohem për këto gjëra.
Nuk do të ndërroja gjithçka që kam, për disa qime më pak të thinjura dhe një bark më të sheshtë.
Nuk e qortoj veten që nuk e rregulloj shtratin, apo që ha disa “gjëra të vogla” shtesë, të hedh vështrimin ndonjë burri të këndshëm, apo të dëshiroj praninë e një shpirti të bukur.
Unë jam në të drejtën time të jem pak e çrregullt, të jem ekstravagante dhe të kaloj orë të tëra duke i ngulur sytë lulet e mia, të jem vetja në çdo urtësi apo lajthitje, të shijoj ajo që unë dua, edhe pse dikujt nuk i pëlqen.

Kam parë disa miq të dashur të largohen nga kjo botë, përpara se të kishin shijuar lirinë që vjen me plakjen, të përjetojnë fuqishëm këtë dhuratë të moshës, të mbërrijnë aty ku të hedhin gjithçka pas krahëve, ta konsiderojnë misionin e tyre të përmbushur, të jetojnë me veten dhe për veten, pa i dhënë kujt llogari, pa lejuar askënd t’u bëjë hesapet.
-Kujt i intereson nëse zgjedh të lexoj apo të luaj në kompjuter deri në 4 të mëngjesit dhe pastaj të fle deri në çfarë ore të dua?
Do të kërcej në breçka para pasqyrës me ritmin e muzikës së viteve ’90, apo të dalldisem e të këndoj pa lidhje, sepse thjeshtë dua të jem e lumtur, jo për inat të botës apo viteve që shkuan, por për qejfin tim.
Dhe nëse më vonë dua të qaj për një dashuri të humbur…do ta bëj, e bindur se asgjë nuk kthehet edhe nëse jap gjithçka që kam!
Do të eci në plazh me rroba banje që mbulojnë trupin tim të shëndoshë e vraga-vraga nga celulidi, dhe të zhytem në valë dhe të shijoj momentin, pa e vrarë mendjen për ato që veshin bikini dhe trupin e lëmuar ua stolis dielli dhe gudulisin pëlqimet.
E dhimbshme, por e vërtetë, edhe ata do të plaken, nëse janë me fat…

Është e vërtetë që ndër vite më ka dhembur zemra për humbjen e një njeriu të dashur, për dhimbjen e një fëmije ose për të parë të vdesë një kafshë shtëpiake. Por është vuajtja që na jep forcë dhe na bën të rritemi dhe të reflektojmë bukurinë e shpirtit edhe kur qajmë, edhe kur qeshim.
Një zemër e pathyer është sterile dhe nuk do ta njohë kurrë lumturinë e të qenit e papërsosur, e realizuar në jetën që bëri dhe veprën që e përfaqëson.
Jam krenare që kam jetuar aq gjatë, sa flokët e mi të thinjeshin dhe të ruaja buzëqeshjen e rinisë, para se të më shfaqeshin brazda të thella në fytyrën time.

Tani, për t’iu përgjigjur pyetjes sinqerisht, mund të them: -Më pëlqen të jem i moshuar, sepse pleqëria më bën më të mençur dhe më të lirë!.
E di që nuk do të jetoj përgjithmonë, por ndërsa jam këtu, do të jetoj sipas ligjeve të mia, atyre të zemrës.
Nuk do të pendohem për atë që nuk ishte, as nuk do të shqetësohem për atë që do të jetë.
Për kohën që ka mbetur, thjesht do ta dua jetën siç e kam dashur deri më sot, pjesën tjetër i’a lë Zotit.
Është kjo që përbën në vetvete përgjigjen se “Si është të jesh e moshuar?”, por edhe se si t’u tregosh me guxim mishatareve veten si model.

Natonal Geographic Nature
Lunyta — në Oldsmar, Florida.

Albert Vataj

SHKARKO APP