Çfarë parashikon ligji? Rastet kur efektivi mund të përdorë armën

Vrasja pas mesnatës së djeshme nga policia e 25-vjeçarit Klodian Rasha vazhdon të mbetet ende e mbuluar me mister.

Në reagimin e saj, policia thotë se i riu ka qenë i armatosur, ndërsa familja pohon se ai nuk mbante armë dhe kishte dalë për të pirë kafe.

Sipas xhaxhait të viktimës, e vetmja gjë që mbante në duar i riu kur doli nga shtëpia, ishin “dy kokrra hurma”.

Por çfarë parashikon Kodi Penal për rastet kur punonjësit e policisë duhet të qëllojnë me armë zjarri

“Përpara përdorimit të armëve të zjarrit punonjësit e policisë dhe subjektet e tjera duhet të identifikojnë veten si të tillë, si dhe të japin një paralajmërim të qartë, duke shprehur me zë të lartë “Ndal”, ndjekur dhe nga paralajmërimi i dytë, “Ndal se do të qëlloj”, nëse ai nuk ndalet. Në rrethana objektivisht të pamundura, të ngutshme, mund të mos bëhet paralajmërimi në rast se një veprim i tillë rrezikon subjektet e këtij ligji ose personat e tjerë nga një rrezik i çastit për jetën. Në këtë rast qëllohet pa paralajmërim, duke synuar pjesët e poshtme të trupit”, – lexohet në Kodin Penal.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45, ku gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, policia ka konstatuar Rashën, i cili kryente veprime të dyshimta sipas saj dhe nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar.

Sipas bluve, ai i është drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë në dukje armë zjarri dhe në atë moment, efektivi e ka qëlluar duke e lënë fillimisht të plagosur 25 vjeçarin, i cili më pas ka ndërruar jetë në spital.

SHKARKO APP