Çfarë po votojnë deputetët? Skandali me rrëzimin e dekreteve të Presidentit, në procesverbal shkruhet: Nuk dëgjohet qartë
Skandal i vertetë kjo që po bën parlamenti.
Parlamenti ka vendosur të vijojë aktivitetin duke i zhvilluar mbledhjet online. Ligjet dhe aktet që ka miratuar këto javë janë çështje serioze që lidhen me aktet normative, dekretet e presidentit dhe ligjet e miratura për gjendjen e jashtëzakonshme.
Dje Komisioni i Ligjeve rrëzoi dekretet e Presidentit, por asnjë media nuk ishte ftuar të pasqyronte mbledhjen e deputetëve apo qëndrimet ligjore kundër kreut të shtetit.
Por edhe pse çështjet e diskutuara janë tejet të rëndësishme dhe lidhen me Kushtetutën e ligjet që mbrojnë të drejtat e qytetarëve, një vëzhgim i seancave online të deputetëve tregon se shumica e tyre nuk e kanë idenë se çfarë kanë votuar dhe çfarë kanë firmosur.
Instituti i Studimeve Politike ka publikuar sot procesverbalet e mbledhjes ku u rrëzuan dekretet e presidentit për ligjin Anti KÇK.
Në dokumentin zyrtar më shumë se 12 herë shkruhet fjala: “Nuk dëgjohet qartë”. Pra, deputetët në votimin final, qëndrimet e deputetëve, kritikat apo çështje që kanë të bëjnë me thelbin kushtetues të ligjeve nuk janë marrë parasysh dhe as janë përfshirë në votimin final.
E vetmja gjë e shkruar qartë në procesverbal është fjala e Ulsi Manjës që thotë: “Faleminderit, miratohet! “,
“Praktika e punës online e Kuvendit është një situatë e imponuar, por në Shqipëri nuk ka përvojë dhe në një vend ku standardet e transparencës janë minimale, kjo praktikë mund të ndikojë në thellim të cenimit edhe më tej të këtyre standardeve. ISP po ju paraqet sot një ilustrim nga mbledhja e parafundit e Komisionit të Ligjeve në Kuvend, komisioni më i rëndësishëm në procedurën parlamentare. Siç shihet, vetëm në një faqe ka 12 raste kur fjalitë & fjalët e relatorit të ligjit mungojnë, nuk dëgjohen ose nuk kuptohen. Ky është një dokument zyrtar dhe nëse praktika të tilla vijojnë në këtë formë, dokumenti humbet vlerën e të qenit zyrtar, aktet e miratuara humbasin vlerën e praktikës ligjore dhe vetë Kuvendi humbet shumë në besueshmërinë e punimeve dhe të produkteve ligjore të tij”,- thuhet në reagimin e ISP.