Charteri me oficerët e Frontex zbret në Rinas

Në një kohë që lëvizjet në aeroportin e Rinasit janë të kufizuara, sot në aeroportin e vetëm në vend, mbërriti një charter oficerë shtesë të FRONTEX për parandalimin e emigracionit të paligjshëm. Ata do të vendosen në në kufirin e jashtëm të Shqipërisë me BE-në, në vijim të misionit. Policia e Shtetit, përmes një postimi në facebook, thotë se ”Që prej fillimit të operacionit të përbashkët, më 22 maj 2019, situata e sigurisë kufitare ka ndryshuar dukshëm, në sajë të angazhimit të rojeve kufitare të vendeve të Bashkimit Europian, por edhe në sajë të pajisjeve teknike për kontrollin e kufirit të vendosura në përdorim të operacionit nga vendet anëtare dhe FRONTEX”.

Njoftimi i plotë

Prej 1 viti, në vendin tonë, konkretisht në Gjirokastër dhe Korçë, në kufirin tokësor me Greqinë, filloi zbatimi i operacionit JO FOA Western Balkan, i Agjencisë Europiane të Rojes Kufitare dhe Bregdetare, FRONTEX, ku marrin pjesë oficerë të policive kufitare të Vendeve Anëtare të Bashkimit Europian dhe të FRONTEX.

Qëllimi është zbatimi i aktiviteteve operacionale të koordinuara, në kufirin tokësor ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, për kontrollin e flukseve të imigracionit të parregullt, parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar dhe forcimin e bashkëpunimit. Ky qëllim, tashmë është përmbushur me sukses.

Që prej fillimit të Operacionit të përbashkët, me 22 Maj 2019, situata e sigurisë kufitare ka ndryshuar dukshëm, në sajë të angazhimit të rojeve kufitare të vendeve të Bashkimit Europian, por edhe në sajë të pajisjeve teknike për kontrollin e kufirit të vendosura në përdorim të operacionit nga vendet anëtare dhe FRONTEX.

20 shtete kontribuan në Operacion duke angazhuar punonjës policie dhe personel civil, me 7 profile të lidhura me detyrat e kontrollit kufitar (për mbikëqyrjen e kufijve, ekspertë informacioni, ekspertë të intervistimeve, oficerë mbështetës të Frontex, ekspertë të nivelit të avancuar të dokumenteve të udhëtimit, ekspertë të automjeteve të vjedhura, oficerë të vijës së parë të kontrollit) si dhe përkthyes (si pjesë e kontributit të Holandës). Për të mbuluar plotësisht nevojat operacionale, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion të operacionit të gjitha burimet e tjera të nevojshme njerëzore.

SHKARKO APP