Cikli i dytë në IAL, MAS publikon udhëzimet për kandidatët nga trojet dhe kategoritë e veçanta

Kështu, Ministria e Arsimit dhe Sportit njoftoi sot të gjithë kandidatët nga Republika e Kosovës, si dhe kandidatët shqiptarë nga Maqedonia, Mali i Zi, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, të aplikojnë pranë (MAS) nga data 3 deri në datën 10 nëntor  për të përfituar nga kuotat e ciklit të dytë të studimeve në IAL publike, viti akademik 2014-2015.

Sipas MAS, aplikimet pas datës 10 nëntor  nuk do të merren në konsideratë.

MAS thekson se, kandidatët duhet të shprehin 5 preferenca të ndryshme lidhur me aplikimin në programet e preferuara të studimit. Kandidatët në momentin e aplikimit duhet të dorëzojnë dokumentacionin, thekson MAS, duke shtuar se, aplikimet me dokumentacion të paplotë nuk merren në konsideratë. MAS thekson se, përzgjedhja e kandidatëve bëhet nga një Komision i Posaçëm i ngritur me urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Sportit.

Sipas MAS, vlerësimi do të bëhet mbi kriterin e meritës, bazuar në notën mesatare të të gjitha viteve të studimeve universitare të ciklit të parë dhe në notën mesatare të të gjitha viteve shkollës së mesme, eventualisht, duke vlerësuar dhe programet që gjykohet të jenë prioritare sipas propozimeve të autoriteteve të vendeve përkatëse, si dhe duke marrë parasysh kapacitetet pritëse të çdo IAL-je për programin përkatës të studimit. Nëse, do të rezultojnë kandidatë me pikë të barabarta, do t’i nënshtrohen testimit që do të kryhet nga MAS.

MAS thekson se, kandidatët nga trojet përfitojnë nga kuotat e veçanta në zbatim të Vendimit nr. 668, datë 15.10.2014, të Këshillit të Ministrave “Për kuotat e pranimit dhe tarifat e shkollimit, në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, “Master profesional” dhe “Master i shkencave”/”Master i arteve të bukura”, për vitin akademik 2014-2015”.

Gjithashtu, Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) njoftoi sot edhe kandidatët me statusin e ish-të dënuarit dhe të përndjekurit politik, të verbrit, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të jetimit si dhe romët dhe ballkano-egjiptianët, që të aplikojnë direkt në MAS, nga data 03 – 10 Nëntor, për të përfituar nga kuotat e ciklit të dytë të studimeve në IAL publike, viti akademik 2014-2015.

MAS shprehet se, kandidatët duhet  të shprehin 5 preferenca të ndryshme lidhur me aplikimin në programet e preferuara të studimit. Sipas njoftimit, për herë të parë, MAS po i kushton këtë vit një vëmendje të veçantë kategorive  të invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë, si dhe jetimëve duke akorduar për ta kuota të veçanta për të ndjekur studimet në IAL-të publike, edhe në ciklin e dytë të studimeve.

Komisioni i posaçëm, me përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, do të shqyrtojë dhe vlerësojë aplikimet e kandidatëve me statusin përkatës. Pjesë e vlerësimit do të jetë dhe intervista me secilin kandidat, që zhvillohet nga Komisioni i Posaçëm. MAS thekson se, aplikimet me dokumentacion të paplotë nuk merren në konsideratë.

Sipas MAS, vlerësimi do të bëhet mbi kriterin e meritës, bazuar në notën mesatare të të gjitha viteve të studimeve universitare të ciklit të parë, si dhe eventualisht në notën mesatare të të gjitha viteve të shkollës së mesme, duke vlerësuar dhe programet që gjykohet të jenë prioritare për kategoritë përkatëse, si dhe duke marrë parasysh kapacitetet pritëse të çdo IAL-je për programin përkatës të studimit. Nëse, do të rezultojnë kandidatë me pikë të barabarta, do t’i nënshtrohen testimit që do të kryhet nga MAS

SHKARKO APP