Cilët janë skenarët e mundshëm, për t’u kthyer në normalitet?

ntervistë me Akademik i as. Prof. Arjan Durrësi,*, anëtar i Komisionit të Matematikës dhe Informatikës në Akademinë e Shkencave, i specializuar, veç të tjerash, në besueshmërine e sistemeve të Inteligjencies Artificiale në Indiana University Purdue University Indianapolis, Sh.B.A

Prej kohësh Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka ngritur E-grupin e saj “Në ndjekje të pandemisë” me përfaqësues të Komisioneve dhe Njësive Kërkimore që veprojnë pranë saj dhe që janë mjekë të njohur, biologë, gjeneticienë, matematikanë dhe ekonomistë që punojnë në institucionet shqiptare. Për herë të parë, gjithashtu, në këtë grup bëjnë pjesë edhe profesorë e kërkues shkencorë shqiptarë që punojnë në universitete të njohura në botë, si Arben Merkoçi në Spanjë, Niko Kaçiroti në ShBA, Erida Gjini në Portugali, Sot ne do ju sjellim intervistën me profesor Arjan Durrësin, i specializuar, veç të tjerash, edhe për Inteligjencien artificiale.

1. Sipas mendimit tuaj, si po përballohet në vendin tonë kjo pandemi dhe çfarë mendoni se mund të bëhet më shumë në të ardhmen?

Mendoj se Shqipëria është një nga shembujt pozitivë të përballimit të kësaj pandemie. (https://ift.tt/37Fny4L). Kjo është një luftë e vërtetë që popujt e një pjese të mirë të botës po bëjnë me nje armik shumë te rrezikshëm siç është Covid-19. Është një luftë që njerëzimi do ta fitojë, por është e rëndësishme me çfarë çmimi në jetë njerëzore do të arrihet fitorja. Është ky i vetmi numër real që do të ketë rëndësi. Dhe çdo vend, popull, ekip mjekësor, qeveri apo lider do të gjykohet historikisht nga numri i jetëve të shpëtuara. Duke krahasuar dhe eksperiencën e vendeve të tjera, duket se një nga çelësat e suksesit të deritanishëm ështe reagimi i shpejtë për të siguruar distancimin fizik. Në këtë artikull tregohet roli dramatik që ka shpejtësia e reagimit: https://ift.tt/2XxCuzL)

Drejtuesit në Shqipëri bënë një zgjidhje të mençur dhe morale. Në fund të fundit, solidariteti është thelbi i shoqërisë njerëzore. Me thënë të drejtën, kjo më bën të ndihem shumë mirë dhe krenar si shqiptar. Pati disa vende të tjera që bënë zgjedhje të çuditshme, për të shpëtuar ekonominë në kurriz të jetëve dhe sot kanë një rritje të lartë të vdekjeve, por as ekonominë nuk e shpëtuan dot. Nuk mund të zhvillohet ekonomia në mes të numrit të lartë të vdekjeve. Bizneset, sidomos ato të shërbimeve, nuk i hapin e mbyllin qeveritë, por klientët, të paktën ata racionalë, që nuk kanë nevojë për urdhër nga qeveria për të mbrojtur veten e të tjerët. Uroj të vazhdohet me këto rezultate pozitive, duke patur shumë kujdes gjatë fazës së hapjes që do bërë shumë graduale dhe e bazuar në të dhënat reale.

2. Sipas mendimit tuaj, cilat janë disa karakteristika që e bëjnë virusin të rrezikshëm dhe epidemine të zorshme për t’u menaxhuar?

Siç e thashë, përballja me këtë virus është një luftë e vërtetë. Covid-19 është një armik i rrezikshëm, sepse ka disa karakteristika që e bëjnë përballjen me të të vështirë.

Së pari, është shkalla e aftësisë infektuese. Pra, mesatarisht sa persona mund të infektohen prej një të infektuari, dhe ky numër mendohej të ishte diku tek tre, por studimet e fundit e vlerësojnë diku më shumë se pesë. (https://ift.tt/2ViX7gC)

Së dyti, virusi tek një pakicë njerëzish, kryesisht me sëmundje kronike e mbi një moshë të caktuar, shkakton pasoja të rënda deri në vdekje. Por, edhe në mosha të reja, kryesisht në ata mbipeshë, mund të ketë të njëjtat pasoja të rënda. Ndërkohë, ka shumë raste që infektohen dhe nuk kanë asnjë simptomë. Eshtë një sëmundje e re dhe nuk njihet mire.

Por karakteristika më e rrekshme është që ka shumë të infektuar pa simptoma, por që mund të infektojnë të tjerë. (https://ift.tt/2VSujLX).

Gjithashtu, simptomat mund të mos shfaqen deri në dy javë, por, ndërkohë, individi mund të infektojë të tjerët. Si rrjedhojë, virusi mund të përhapet në komunitet për dy a më shumë javë pa patur asnjë shenjë, si paraqitje në spital, etj. Kjo e bën përhapjen shumë të madhe. Pikërisht këtu ndikon mbyllja e shpejtë e një vendi, duke e kufizuar sa më shumë këtë përhapje pa zhurmë të virusit. Gjithashtu, kjo vonesë në shfaqjen publike të pasojave e bën edhe menaxhimin e pandemisë të vështirë.

D.m.th., gjendja që shihet sot, si, p.sh., shtrimet në spital, është rezultat i sjelljes së komunitetit rreth dy javë më parë. Ose çfarë bëjmë sot, do ta japë rezultatin dy javë më vonë. Dhe, sipas teorisë së kontrollit të sistemeve me çiftim të kundërt, që përdoret gjerësisht në inxhinieri, kjo kohë-vonesë është një nga faktorët kryesorë që e bëjnë sistemin të vështirë për t’u kontrolluar, duke patur mundësi për oshilime, pra, valë të tjera, p.sh., në qoftë se hapja bëhet e shpejtë apo e parakoheshme.

3. Si mendoni se do të jetë ecuria e kësaj pandemie, cilat janë skenarët e mundshëm?

Megjithëse fundi i luftës dihet, njerëzimi do ta mundë virusin, objektivi është të shpëtohen sa më shumë jetë.

Që virusi të shuhet, do të duhet që një pjesë e mirë e komunitetit, rreth 70% apo më shumë të infektohen, që komuniteti të krijojë imunitet. Kjo shifër mund të arrihet si proces infektimi natyror, dhe ky është skenari më i keq i mundshëm, sepse një përqindje jetësh nuk do të mund të shpëtohen. Por, edhe në këtë skenar më të keq, duke kontrolluar e shtrirë sa më shumë kurbën e infektimeve dhe të atyre që paraqiten në spital, së pari, krijohet mundësia që për çdo të sëmurë të mund të bëhet maksimumi nga ekipet mjekësore, dhe e dyta, këto ekipe mos detyrohen të punojnë në kushte jo profesionale apo dhe çnjerëzore, ku do të ishin të detyruar të zgjidhnin kush do të trajtohet e kush jo, përveç vështirësive të vetë kushteve të punës së këtyre heronjve të ditëve tona.

Skenari më i mirë është zhvillimi i një vaksine efektive, që do bënte të mundur imunizimin artificial, si rrjedhojë do të kishim një numër minimal infektimesh nga virusi. Në këtë luftë me visusin, vaksina do të ishte bomba jonë atomike. Fatkeqësisht, parashikimet më optimiste e vendosin mundësinë e vaksinës jo më shpejt se një vit. Ka një garë e bashkëpunim të madh për gjetjen e një vaksine, e shumë po testohen, e mbase, me ca fat, dikush mund ta zhvillojë më parë. Si rrjedhojë, duhet të përgatitemi për një luftë të gjatë dhe gjatë kësaj kohe të përdorim të gjitha armët e mundshme për të mbajtur kurbën e rasteve sa më të sheshtë, sepse kështu do të shpëtojmë sa më shumë jetë.

Dhe armët tona kryesore janë distanca fizike, përdorimi i maskave, i testeve te ndryshme, ndjekja e rasteve, e kontakteve dhe izolim i plotë i të infektuarve. Çdo vend duhet të përdorë në mënyrën më të mirë mjetet që ka ne dispozicion.

Njerëzimi është përballur me epidemi të shumta në mijëra vjet dhe armë si distancimi fizik dhe izolimi kanë qenë faktorët e fitoreve mbi këto epidemi. Armë të tjera do të ishin edhe gjetja e medikamenteve që do të lehtësonin sëmundjen, sidomos, rastet e rënda. Edhe në këtë drejtim po punohet e eksperientohet shumë. Bimët mjekësore, gjithashu, mund të jenë armë efikase. Megjithse ky virus është i ri, ka shumë karakteristika të ngjashme me viruse të tjera me të cilat njerëzit janë përballur në shekuj dhe kanë grumbulluar përvojë në trajtimin me bimë mjekësore. Në Shqipëri ka ekspertë shumë të mirë të këtyre bimëve dhe përdorimit të tyre.

Ka dhe një skenar tjetër, më shumë si mrekulli, që virusi të ndryshojë natyrë e të bëhet më pak i rrezikshëm apo të shuhet fare. Ky skenar do uruar, por nuk do llogaritur, siç nuk mund të llogaritet fitimi i llotarisë në lojërat e fatit.

4. Diskutimi më i madh që bëhet sot janë testet dhe vaksina. Çfarë mendimi keni ju? Cila prej tyre ndikon në rënien e përhapjes së kësaj pandemie më shumë?

Vaksina do të jetë arma përfundimtare, por, me shumë gjasa, nuk mund të jetë e mundur më parë se një vit. Siç dihet, ka dy lloj testesh: ato diagnostikues, pra që vërtetojnë se dikush është i infektuar dhe testi tjetër që vërteton se dikush ka antikorpe, dmth ka qenë i infektuar. Shpresohet fort që ata që e kanë kaluar, të jenë të imunizuar dhe, duke patur parasysh eksperienca me viruse të tjera, ka shumë mundësi të jetë kështu. Të dy tipet e testeve janë shumë të rëndësishëm. Testi diagnostikues do të përdorej për të identifikuar të infektuarit dhe në ndërprerjen e përhapjes së virusit.

Meqë të infektuarit mund të mos shfaqin simptoma për disa kohë ose fare, rasti ideal do të ishte të testoheshin të gjithë. Si rrjedhojë, testet ideale diagnosktikuese do të duhet të ishin të thjeshta, të lira, që çdokush mund t’i bënte vetë, siç janë, p.sh., testet e shtatzanisë. Fatkeqësisht, sot këto teste diagnostikuese nuk janë aq të thjeshta dhe të lira. Në pjesën më të madhe ato çohen në një laborator, kërkojnë solucione, etj. Kjo bën që edhe vende shumë të zhvilluara të kenë vështirësi në bërjen masive të këtyre testeve. Vende që kishin investuar me kohë në këtë fushë, si Koreja e Jugut, e kanë përdorur këtë testim në mënyrë efektive për kontrollin e virusit.

Lloji i dytë i testit vërteton se dikush e ka kaluar virusin; edhe ai do të duhej të ishte i thjeshtë, i lirë dhe që gjithkush mund ta bënte vete. Fatkeqësisht, kjo nuk është e mundur, madje në garën për këto teste, duke ulur edhe kontrollet, ka shumë teste të pacertifikuara që kanë një gabim të madh. Prandaj do shumë kujdes, se dikush mund të rezultojë që e ka kaluar virusin, gjë që mund të mos jetë e vërtetë, dhe të ulë masat mbrojtëse e të infektohet.

5. Ju mbeshtesni idenë e përdorimit të maskave për të gjithë në fazën e dytë. Pse?

Në këtë luftë me virusin ka disa faza. Faza e parë është sulmi mekanik, pra kur virusi futet në trup kryesisht ndërmjet hundës e gojës. Aty arrin të futet në qelizat dhe të shumëfishohet. Më tej arrin në mushkëri dhe sëmundja zhvillohet. Në këtë artikull analizohet se si një person infekton nëntë të tjerë në një restorant në Kinë, në tavolinat pranë dhe ato që janë në të njëjtën rrymë ajri të kondicionuar. (https://ift.tt/2whSr20) Pra, në qoftë se do të arrihet të ndalohet sulmi mekanik, pra futja fizike në kontakt me qelizat e hundëve, gojës e syve, virusi ndalohet. Dhe kjo do të ishte fitorja më e thjeshtë e me më pak kosto mjekësore dhe jo vetëm. Pikërisht maskat janë një mjet shumë efikas që, së bashku me distancimin fizik, sigurojnë këtë mbrojtje. Është vërtetuar, praktikisht, që maskat arrijnë të ndryshojnë natyrën e kurbës së infektimeve dhe të vetë epidemisë. Si rrjedhojë, maskat përdoren gjerësisht dhe në shumë vende, kryesisht të Azisë, janë të detyrueshme. (https://ift.tt/2VzspzJ)

Për të kuptuar rolin e maskave, le të shohim si përhapet virusi. Një i infektuar, mesatarisht, infekton pesë të tjerë. Por ky numër, në raste të veçanta, mund të jetë shumë më i lartë, në varësi të lëvizshmërisë, kontakteve, madhësisë së turmës etj. Po le të mbetemi tek numri pesë. Secili prej tyre mund të infektojë pesë të tjerë e kështu me radhë. Pra, infektimi rritet në mënyrë eksponenciale si ortek. Ky është pikërisht ndryshimi themelor midis infektimit me Covid dhe sëmundje të tjera, si ato të zemrës, kanceri apo aksidentet e ndryshme, këto nuk shumëfishohen. Në qoftë se do të arrijmë ta frenojmë sadopak ortekun e infektimit nga virusi në çdo hap, efekti frenues do të shumëfishohet si ortek, gjithashtu. Maskat janë të llojeve të ndryshme që nga N95 deri tek ato të thjeshtat prej lecke. Efektiviteti i tyre (N95) shkon deri në 70% në ndaljen e infeksionit, të tjerat e kanë më të ulët, por kryesorja është që ky efekt shumëfishohet. (https://ift.tt/32Svdv6)

Maskat kanë mbrojtje të dyanshme, pra mbrojnë për të mos u infektuar, por dhe pengojnë të infektuarit të përhapin virusin. Duke patur parasysh se shumica e infektimeve ndodh nga njerëz akoma pa simptoma, mbajtja e maskave prej tyre, pra, prej të gjithëve, është një mjet shumë i fuqishëm dhe i thjeshtë për frenimin e infektimit ortek.

6. Si mendoni se mund të bëhet hapja graduale dhe rikthimi në jetën normale?

Në këtë luftë Shqipëria ka arritur deri tani rezultate të mira. Por lufta do të jetë e gjatë, mund të ketë dhe valë. Sidomos, frika është për një valë të dytë në vjeshtë e dimër kur do të mund t’i mbivendoset dhe gripit sezonal. (https://ift.tt/34VnvkW)

Por mund të ketë valë të dytë edhe më të afërt, në qoftë se hapja bëhet shumë e shpejtë.

Virusi do vazhdojë punën e vet, atë të infektimit sa herë ka mundësi. Dhe çdo gjë varet nga çfarë bëjmë ne si komunitet, dhe efektin e veprimeve tona e shohim dy javë apo më vonë. Si rrjedhojë, do shumë kujdes të kontrollohet ky proces duke patur gjithmonë si të dhënë kontrolli rastet e reja. Dhe këto raste do të duhet të jenë të pakta që të mund të ndiqen kontaktet dhe të bëhen izolimet e nevojshme. Në këtë artikull, një nga epidemiologjistët më të njohur, Larry Brillant, shpjegon si do të duhej bërë hapja. (https://ift.tt/2yxzpoV)

Duhen nxitur, edukuar, por dhe detyruar njerëzit të mbajnë distancën fizike, të përdorin maska, të dezinfektojnë ambjentet, etj. Gjëja kryesore që duhet evituar, janë grumbullimet e shumë njerëzve, me dendësi të lartë e në mjedise të mbyllura. Si rrjedhojë, do t’u lutesha autoriteteve vendimmarrëse që të mos t’i lejojnë këto grumbullimeve. P.sh., shkollat e universitetet do të ishin vendet ideale për përhapjen e virusit; kanë dendësi të lartë, janë të mbyllura, fëmijët e kanë vështirë të mbajnë distancë fizike, studentët janë shumë socialë, pra, do të ishte një bombë e vërtetë infektuese. Nga ana tjetër, mësimi, si në shumicën e shkollave në ShBA, mund të mbyllet këtë semestër online, pa ndonjë problem të madh.

Në këtë luftë jemi të gjithë ushtarë dhe duhet mobilizimi i të gjithëve. Patriotizëm e qytetari sot është mbajtja e maskave, e distancës fizike, evitimi i grumbullimeve dhe gjithë masat e tjera mbrojtëse. Dhe si në çdo luftë, roli i komandës është vendimtar për të vazhduar fitoret dhe mos të çohen dëm arritjet e sakrificat e gjertanishme; nuk do hequr këmba nga frenat.

7. Ju, bashkë me kolegët tuaj krijuat një grup të përbashkët si anëtarë të Komisioneve të Akademisë së Shkencave. Si e vlerësoni këtë përvojë?

Është një ekperiencë shumë pozitive. Akademia po afron potencialin intelektual brenda e jashtë vendit. Si në çdo luftë, informacioni ka rol të dorës së parë dhe në grup ka një shkëmbim intensiv informacioni e mendimesh, si për armikun – virusin dhe mjetet e eksperiencat botërore mbrojtëse. Urojmë që rekomandimet më të mira të ndikojnë në vendimmarrje. Gjithashtu, mendoj se kjo eksperiencë pozitive do të vazhdojë edhe mbas kalimit të kësaj pandemie. Ky bashkëpunim midis

kërkuesve shqiptarë brenda e jashtë vendit dhe rezultatet konkrete të projekteve të ndryshme do të bëjë të mundur që Akademia të realizojë vërtet rolin e saj për shkencën e arsimin në vend.

Bisedoi : Ilir Yzeiri

——————————————-

*Arjan Durrësi është Profesor i Shkencave Kompjuterike në Indiana University Purdue University Indianapolis, Sh.B.A. Fushat e tij të kërkimit përfshijnë besueshmërine e sistemeve të Inteligjencies Artificiale, rrjetet e kompjuterave dhe siguria e sistemeve.

SHKARKO APP