Cili grup në PD do futet në zgjedhje? Kreu i FRPD: Kush do të na përjashtojë, do përballet me ne
Kreu i FRPD-së, Besart Xhaferri thotë se Partia Demokratike nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet e 14 majit. Për të kushdo që po mundohet t’i përjashtojë nga zgjedhjet, do të përballet me Partinë Demokratike.
“Nuk i bojkotojmë zgjedhjet, ne kemi vendimin e gjykatës, ata që duan të na përjashtojnë ne, do përballen me ne. Revolucioni ka një dimension tjetër, po kaq të rëndësishëm, po kaq jetik: dimensionin elektoral.
Sepse bëhet çdo gjë që të grabiten zgjedhjet, të plaçkiten zgjedhjet. Ne duhet të qëndrojmë ndaj çdo akti, ndaj çdo veprimi, ndaj çdo përpjekje të shkelmimit të ligjit të zgjedhjeve. Ne nuk i bojkotojmë zgjedhjet.
Përpjekja për të përjashtuar PD-në nga zgjedhjet është etapa e tretë e skenarit të të njëjtëve autorë. Por absolutisht do marrin përgjigjen e merituar. Sepse çdo vendim, përveç vendimit që është marrë, është i paligjshëm. Nuk ka asgjë më të paligjshme se shpallja palë e atij që nuk është palë.
Ne kemi vendimin e gjykatës, ata që duan të na përjashtojnë ne, do përballen me ne. Kjo është e gjitha!”, shkruan ai.