Cingu rrëfen pengun më të madh të mjeshtrit Rexhep Çeliku

Liljana Cingu, partnerja e përhershme e Rexhep Çelikut në performancat e tyre në skenë, është shprehur mbi pengjet e valltarit fluturues, Rexhep Çeliku. Teksa mbahen homazhet në nderim të mjeshtrit të madh të valles shqiptare, Cingu tregon se: ”Pengu më i madh i tij ishte që “vallja të mos të ndalet, të vazhdojë; dhe Shqipëria të jetë një shqiponjë ashtu siç ne e meritojmë”.

Mjeshtri Çeliku vuante nga një sëmundje, prej një kohe të gjatë. Për gazetarët, Cingu u shpreh edhe për emocionet e Çelikut pas marrjes të dekoratës ”Nderi i Kombit” nga Presidenti Meta.

“Kur u nderuam unë dhe Rexhepi është me të vërtetë një nder për artistët. Unë e dija se Rexhepi me forcat e veta do ta merrte këtë nderim. Por ai iku, ka fluturuar lart, krenar, ashtu si me krenari në skenat brenda dhe jashtë vendit ka promovuar vlerat shqiptare. Ai e meritonte atë nderim. Rexhepi ishte një histori për skenën tonë. Ai me të vërtetë ishte legjenda e valles shqiptare, një shqiponjë që fluturonte në skenë, në publik, kudo ai shkelte. Edhe gurët e sokakut sot po qajnë për Rexhepin. Por unë them: Rexhep të kam gjithmonë në krah dhe do të kërcejmë vallen e shqiptarëve. Unë e konsideroja Rexhepin si vëlla”, u shpreh ajo.

SHKARKO APP