Çlirim Gjata: Kush është zyrtari që fsheh policia, pas arrestimit të Henri Çilit

Sekretari Ligjor në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata ka reaguar në lidhje me arrestimin e publicistit Henri Çili dhe ka i ka drejtuar disa pyetje Policisë dhe Prokurorisë në lidhje me zyrtarët e lartë të Drejtësisë të përfshirë në këtë dosje. Gjata shprehet se Policia dhe Prokuroria kanë detyrim të tregojnë emrin e zyrtarit të lartë të drejtësisë që implikohet në dosjen e botuesit Henri Çili.

Deklaratë e Partisë Demokratike nga Çlirim Gjata:

Arrestimi i një grupi të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale të ushtrimit të paligjshëm ndaj një zyrtari të lartë të drejtësisë ka nxjerrë edhe një herë në pah standardet e dyfishta të policisë dhe të drejtësisë në Shqipëri.

Në paradën e leximit të emrave dhe veprave penale të rreth 30 të ndaluarve, drejtori i përgjithshëm i policisë shmangu identifikimin e zyrtarit të lartë të drejtësisë, i cili, sipas prokurorisë, ka premtuar favore për gjykimin e dosjes në Gjykatën e Lartë.

Emri i këtij zyrtari nuk përmendet as në materialet e përgatitura nga prokuroria. Mes të tjerash, thuhet se një drejtues i një organi të lartë të drejtësisë ka premtuar shqyrtimin tek 50 çështjet e para të dosjes, për të cilën prokuroria thotë së është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme.

Emri i atij që në dokumente identifikohet si drejtues i një organi të lartë të drejtësisë mbetet mister.

Policia dhe prokuroria kanë detyrimin të informojnë opinionin publik:

1- Kush është zyrtari i lartë i sistemit të drejtësisë i përfshirë në këtë dosje?

2- Pse po mbahet i fshehtë emri i tij?

3- Pse u kryen ndalimet përpara se drejtuesi i organit të lartë të drejtësisë të kryente takimin e radhës në mars, siç thuhet në dosje?

Aktualisht, në sistemin e drejtësisë janë vetëm dy persona që kanë lidhje me Gjykatën e Lartë, ku do të shqyrtohet dosja për të cilën prokuroria pretendon se ka patur ndikim të paligjshëm.

Ata janë:

1. Ardian Dvorani, aktualisht i vetmi anëtar funksional i Gjykatës së Lartë, drejtues i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

2. Sokol Sadushi, kandidat pa rival për Gjykatën e Lartë, emërimi i të cilit pritet të ndodhë në mars. Sokol Sadushi, i cili udhëhoqi reformën në drejtësi si ekspert i lartë, është drejtor i Shkollës së Magjistraturës, një organ i lartë i sistemit të drejtësisë.

Sot është koha që policia dhe prokuroria të zbulojë identitetin e funksionarit të lartë të drejtësisë.

Drejtësia nuk mund të bëhet me disa standarde. Drejtësi është kur të gjithë, pavarësisht pozitës së tyre, lidhjeve dhe shërbimeve për kryeministrin, vihen përpara drejtësisë.

SHKARKO APP