Çlirim Gjata: Po i vënë gjoba bizneseve përmes OFL-së
Antikushtetues, kështu e cilëson juristi Çlirim Gjata aktin normativ që ka kaluar sot në Kuvend, lidhur me aksionin Forca e Ligjit, që synon sipas qeverisë goditjen e pasurisë së elementëve të krimit.
Gjata tha se për momentin nuk ka asnjë emergjencë për kalimin e këtij ligji me akt normativ, ndërkohë që sipas tij qeveria po synon që të vënë në zotërim edhe SPAK-un.
“Është antikushtetues për shkak se u bë me një akt normativ që nuk kishte emergjencë, Pse nuk e nxori aktin normativ kur ishte Shqipëria cep më cep me drogë.
Pse nuk e nxori Edi Rama ligjin kur hynë në Kuvend trafikantë femrash, U mbars mali dhe polli një mi, kështu është dhe kjo puna e makinave të blinduara që kapen në Shqipëri.
Ti marrësh një krimineli një makinë të blinduar, është si të më marrësh ty dhe mua që jemi me rroga, 200 apo 300 mijë lekë. Ku ishte ky ligj, ku ishi këta kur Vangjush Dako blinte dhe shiste votat me kriminele.
Ky ligj u bë për të futur nën thundër SPAK-un dhe Prokurorinë, e dyta për ti vënë gjoba biznesit në prag të zgjedhjeve, sepse jo të gjitha dalin në televizor. Po vlon kjo çështje se tani është vetëm në fillimet e veta. Po të them se kjo shërben dhe për të bërë dekonspirimin e hetimeve”, u shpreh Gjata.
“E ka Konventa Europiane që këtyre personave iu lind e drejta që të apelojnë vendimet, aq më pak se këto vendime nuk kanë të bëjnë me gjykatën.
Shyqyr që qenka kujtuar një në Kuvend që ta thojë këtë, aty në Kuvend opozita i bën fresk Edi Ramës, vetëm 82 deputetë janë kushtetues, të tjerët janë vetëm për ti dhënë votat Ramës”, tha më tej sekretari i përgjithshëm i PD-së.
Juristi foli dhe për rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave.
“Shqipëria do të hyjë në BE vetëm kur ti teket Macron dhe Merkelit, të tjerët janë kot, nuk mund të dalësh dhe të thuash se Komisioni Europian është dakord për çeljen e negociatave, dhe atyre nuk ua fërshëllen njeri. Të gjithë këta shumëzohen me zero, nuk kanë vlerën as të një Macroni”, tha Gjata.
Ndërkohë lidhur me mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit nga ana e presidentit Meta, Gjata tha se kushdo pushtetar që e sheh se po shkelet ligji dhe nuk funksionon Gjykata Kushtetuese duhet ti drejtohet popullit.
“Jemi në situatën e ngjashme me vitet 90 që mund të rregullohet vetëm në rast se populli del në rrugë. Edi Rama po vë në të gjitha pozicionet njerëzit e tij të afërt, dhe ti nuk di se ku të ankohesh”, deklaroi më tej Gjata.