”Çmime të kripura”, pensionistët: Të papërballueshme, nuk kemi terezinë e Vitit të Ri
Qytetarët e Tiranës ditët e fundit kanë shpenzuar më shumë lekë për blerjen e të njëtave produkte të shportës. Nga një vëzhgim i bërë në tregjet e kryeqytetit, qytetarët shprehen se që prej festës së Krishtlindjeve ka pasur një rritje të çmimeve të ushqimeve, por edhe të perimeve që variojnë nga 5 deri në 20 lekë. Ata mundohen ta zgjidhin problemin duke blerë gjërat më të domosdoshme. “Jemi pensionistë, rrogën e kemi të vogël, nuk kemi terezi të Vitit të Ri”, shprehet një pensioniste.
Të larta i konsiderojnë çmimet edhe qytetarët që jetojnë në Europë e janë kthyer në Shqipëri për festa.Ata shprehen se në krahasim me vendet ku jetojnë ushqimet janë më të larta në një kohë që standarti i jetesës është më i ulët. “Kam ardhur me pushime, çmimet janë skandal, shumë të larta”, shprehet qytetari.
Ka edhe nga ta qytetarë që janë në gjendje më të mirë ekonomike dhe nuk e kanë vënë re ndryshimin në çmime. “Janë të përballueshme”, thotë një tjetër qytetar.