Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur 10 herë më shumë se paga

Për ekspertët, edhe në tregun e pasurive të paluajtshme në Tiranë, janë të pranishme sinjalet e rrezikut të flluskës së çmimeve, të ngjashme me disa qytete në botë, të publikuara te raporti “Rreziku global i flluskave të pasurive të paluajtshme në 2024”.

Sipas ekonomistëve, raporti mund të merret për model për metodologjinë e llogaritjes së rrezikut edhe për tregun vendas.

Në Shqipëri, vetëm frenimi i parasë kriminale mund të përcaktojë saktësisht kohën se kur do të ndodhë flluska e çmimeve. Në 9 vjet, çmimet e apartamenteve janë rritur 10 herë më shumë, në raport me të ardhurat nga paga.

Parashikimi se kur do të ndodhë flluska në tregun e pasurive të paluajtshme në Tiranë mbetet i vështirë.

Për ekspertët e ekonomisë dhe të tregut të pasurive të patundshme, nëse do të përshtatej për tregun shqiptar metodologjia e një raporti të fundit ndërkombëtar “Rreziku global i flluskave të pasurive të paluajtshme në 2024”, që përllogarit e riskut e tregut të pasurive të paluajtshme, sinjalet e një rënieje janë të pranishme edhe në vend.
Ndër 25 qytetet e analizuara në raport nga agjencia “Menaxhimi global i pasurisë”, rezulton se indikatorët kryesorë që lajmërojnë rrezikun e lartë të flluskës për tre qytetet, si Majami, Tokio dhe Zyrihu, janë nivelet e larta të rritjes së çmimeve deri në 50% gjatë 5 viteve, rënia e kërkesës nga mospërballueshmëria e çmimeve dhe rritja e normave të interesit.

Në Majami, rezultoi se çmimet e shitjes së pronave për periudhën 2019 deri në 2024 u rritën me 50%. Në Tokio 30% dhe në Zyrih, 25%. Për 3 qytetet, rritja e çmimeve ishte në disbalancë me ritmet e rritjes së të ardhurave, çka përbënte rrezikun e lartë për flluskë.

Në Zyrih, ky raport u përkeqësua. Rritja e të ardhurave mbeti në diapazonin më të ulët njëshifror, ndërsa rritja reale e çmimeve të pronave ishte me 20%, e vlerësuar si ndër më të lartat për 11 qytetet europiane të analizuara.

Nëse do i përshtasim këto tregues për tregun shqiptar, në Tiranë, për 3 vitet e fundit, periudha nga 2021 deri më 2023, çmimet mesatare të shitjes së apartamenteve janë rritur 41%, sipas të dhënave të indeksit të “Keydata Albania”, të publikuara nga “Çelësi Media Group”.

Çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve për metër katror deri në fund të muajit dhjetor 2023 arriti në 1,548 euro nga 1,095 euro në tremujorin e parë të 2021.

Ylli Sula, drejtuesi i grupit “Çelësi”, tha se ritmet e rritjes së çmimeve janë më të larta se të ardhurat e familjeve shqiptare. “Çdo vit ka pasur rritje të çmimeve, ndërsa kërkesa reale nga familjarët apo bizneset është në stanjacion.

Së pari, nga çmimet e larta. Rritja e çmimeve të shitjes nuk është në përputhje me të ardhurat që fitojnë sot familjarët shqiptarë.

Në Tiranë, kërkesa reale që përbëhet nga familjet që kërkojnë të blejnë shtëpi për qëllime banimi apo ata që kërkojnë të blejnë për qëllime rinovimi apo zgjerimi është në rënie, për shkak të pamundësisë nga të ardhurat e ulëta”, pohon ai.

Nga periudha e analizuar e ecurisë së çmimeve mesatare, rezultoi se shtrenjtimi kishte nisur që në tremujorin e parë të 2021, pas periudhës së pandemisë së Covid-19.

Nga njëri tremujor te tjetri, duke nisur nga 2021, rritja mesatare e çmimeve varionte nga 1,7 deri në 6,2%. Shtrenjtimi më i lartë ishte nga tremujori i tretë në tremujorin e katërt 2023, me 21%.

Rritja e çmimeve u analizua e ndarë në 3 zona. Shtrenjtimi më i lartë, me rreth 56%, ishte për pronat e shitura brenda Unazës së Vogël. Çmimi mesatar i shitjes së tremujorit të katërt 2023 arriti në 1,804 euro/m².

Në zonën e ish-Bllokut, çmimi mesatar i shitjes në tremujorin e katërt 2023 arriti në 2,160 euro/m². Çmimet mesatare krahasuar me tremujorin e parë 2021 u rritën me 45%.

Tendencë rritëse të çmimeve mesatare të shitjes së apartamenteve ka pasur edhe për pronat jashtë Unazës së Vogël.

Çmimet mesatare reale në këtë zonë, deri në tremujorin e katërt 2023, arritën në 1,434 euro/m². Nga tremujori i parë 2021 në tremujorin e fundit 2023, çmimet mesatare u rritën me 38.3% edhe për pronat jashtë Unazës së Vogël.

Të dhënat e tjera të INSTAT bëjnë të ditur se që nga viti 2014, kur raportohen të dhënat më të hershme për pagën mesatare, deri në vitin 2023, paga nominale është rritur me 54%, nga 45 mijë lekë në muaj në 75 mijë lekë/muaj.

Por, e indeksuar nga inflacioni, që ishte i lartë sidomos në 2022 dhe 2023, page reale për të njëjtën periudhë është rritur me rreth 30%.

Një i punësuar merr sot mesatarisht 22 mijë lekë në muaj (220 euro) më shumë se në vitin 2014 (e indeksuar me inflacionin, e paindeksuar rritja është 250 euro).

Ndërkohë, në vitin 2014, një apartament kushtonte 1100 euro/m2, ndërsa në vitin 2023 kushtonte rreth 1500 euro për metër katror, ose 400 euro për metër katror më shumë.

Si rrjedhojë, një apartament 90 metra katror që në vitin 2014 blihej me 99.4 mijë euro, në vitin 2023 kushtonte 139 mijë euro, sipas të dhënave të Keydata, ose gati 40 mijë euro më shumë.

Për të njëjtën periudhë, sipas të dhënave të INSTAT, një i punësuar me pagë ka marrë gjithsej 3300 euro më shumë për 9 vjet (të paindeksuara me çmimet, që janë të paktën 25% më të larta se në 2014-n)!

SHKARKO APP