Covid-19, administrata përgatitet për të punuar nga shtëpia
Administrata shtetërore duhet të përgatitet për të kaluar një pjesë të madhe të punonjësve në punë nga shtëpia. Një udhëzim i fundit i Departamentit të Administratës Publike, u bën thirrje të gjithë institucioneve të përgatisin listat e nëpunësve që do të kryejnë detyrat e tyre “online”.
Numri i punonjësve në shtëpi do të përcaktohet nga sipërfaqja e institucionit, për të garantuar largësinë fizike prej 2 metrash. Për punën nga shtëpia, çdo punonjës duhet të pajisjet me mjetet e nevojshme si kamera, kufje, mikrofonë, apo edhe kompjutera në pronësi të institucionit.
Nëpunësit do të aksesojnë edhe nëpërmjet telefonit e-mailet e tyre zyrtare dhe dokumentet “online”. Ndërsa puna do të monitorohet nga eprorët, duke zhvilluar rregullisht edhe videokonferenca. Ndërsa për punonjësit që do të vazhdojnë të punojnë në zyra, kërkohet zbatimi rigoroz i masave shëndetësore dhe minimizimi i kontaktit me qytetarët, duke ofruar një pjesë të shërbimeve publike “online”.
Plani i administratës përcakton edhe mundësinë për ndryshime orari për prindërit, në varësi të orarit të mësimit të fëmijëve të tyre, gjithmonë duke respektuar 40-orëshin në javë. Puna nga shtëpia për administratën u zbatua në mars dhe më pas sërish në maj. Ndërsa gjatë periudhës së fundit, një pjesë e madhe e administratës që nuk ka punë fizike ka kaluar në punë nga shtëpia, në disa raste deri në 70% të institucioneve.