Covid-19 ”futet” frikshëm në burgje. Ndërron jetë pacienti zero, i Shënkollit bëhet spital Covid

Covid-19 është ”futur” frikshëm në institucionet e vuajtjes së dënimit. Ka shkuar në 10 numri i të dënuarve të infektuar në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Një nga 10 të dënuarit që ka rezultuar pozitiv me Covid-19 në burgun e Drenovës ka ndërruar jetë. Ai ishte i shtruar në Spitalin Covid 2 “Shefqet Ndroqi”, por gjendja e tij e rënduar shëndetësore e ka bërë të pamundur përballimin e virusit duke i marrë jetën. I dënuari 74 vjeç, ishte pacienti zero i burgut të Drenovës që infektoi të gjithë të tjerët.

Të burgosurit të cilët janë në gjendje të rëndë janë shtruar tek Spitali Infektiv, ndërsa të tjerët ndodhen në spitalin e burgut në Tiranë. Mësohet se të shtruarit ruhen nga një polic për të parandaluar arratisjen e tyre. Polici qëndron i veshur njësoj si infermierët me veshjet përkatëse mbrojtëse ndaj Covid-19 gjatë gjithë kohës në ruajtje të të burgosurit të infektuar. Gjithashtu parashikohet dhe një masë shpërblimi për këto gardianë.

Rritja e numrit të të infektuarve në burgje ka sjellë dhe inspektimet e Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Ajo është ndalur në burgun e Rrogozhinës, i cili ka patur probleme me shfaqjen e Covid-19 që në krye të herës për rastet e evidentuara pavarësisht se së fundmi nuk janë evidentuar problematika.

Ministrja Gjonaj ka vënë theksin tek masat anti-covid dhe sidomos tek trajtimi i personave me Covid-19. Ajo ka kërkuar që pandemia dhe rastet e shfaqjes së saj në institucionet penitenciare absolutisht të mos shërbejnë si justifikim për uljen e vigjilencës nga trupat e shërbimit në lidhje me çështjet e sigurisë dhe se nuk do të tolerohet asnjë lloj abuzimi nga stafi për masat anticovid.

Nga ana tjetër, burgu i Shënkollit në Lezhë është kthyer në dispozicion të të dënuarve të prekur nga Covid-19. Aktualisht po trajtohen 40 të dënuar të cilët rezultojnë të infektuar me Covid-19. 7 prej tyre kanë mbërritur ditën e sotme dhe i përkasin të infektuarve të burgut të sigurisë së lartë të Drenovës. Të sëmurët janë vendosur në dy godina të ndryshme dhe trajtohen nga stafi mjekësor i burgut.

Më 9 mars u zbulua rasti i parë me Covid-19 në Shqipëri dhe më 24 mars, ministrja e Drejtësisë, Etlida Gjonaj, bëri me dije se u liruan përkohësisht 600 të burgosur. ”Të gjithë ata të dënuar me vendim të formës së prerë dhe u ka mbetur edhe 3 vite burgim dhe të gjithë ata që u ka mbetur më pak se 5 vjet burgim dhe që janë mbi 60-vjeç, do të vendosen 3 muaj në karantinë në shtëpitë e tyre”. Afati për lirimin e të dënuarve sipas llogarive skadoi në qershor dhe çfarë masash ka marrë Ministria dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që këta 600 të dënuar që u rikthyen në burgje të mos e kishin marrë virusin vdekjeprurës gjatë ”lirisë” për 3 muaj?

SHKARKO APP