COVID-19, Gëzim Tushi: Duhet sa më pak miqësi, mënyra e jetesës të bëhet në “bunkerizimin social”
Koronavirusi tashmë ka ndryshuar edhe mënyrën e jetesës së shoqërisë. Sociologu Gëzim Tushi, në një lidhje skype me RTV Ora sqaron se mënyra e jetesës duhet të bëhet në atë që ai e quan “bunkerizim social”.
Gezim Tushi: Akoma kam përshtypjen që ka njerëz që e gjykojnë me mendje lehtësi që nuk e vlerësojnë këtë situatë. Ne duhet të bindemi që e vetmja mënyrë për ti shpëtuar këtij rreziku të këtij virusi i cili është shumë agresiv është vetëm një gjë: Na duhet një lloj bunkerizimi social, një lloj ndarje nga jeta shoqërore, një lloj grumbullimi në qelizën bazë të shoqërisë sic është familja, ku kemi mundësi të mbrohemi prej tij. Në kushtet e një pandemie nuk ka një institucion tjetër, as ato spitalore, as ato të jetës sociale që mund të zëvendësojnë familjen. Pra nëse ne duam jetën tonë dhe jetën e të tjerëve duhet ta mendojmë që e vetmja mënyrë për të mbrojtur, duke cënuar nga pak hapësirën sociale është qëndrimi në familje dhe marrja e masave që kanë deklaruar ekspertët. Pra duhet një mënyrë e re jetese që duhet të bëhet në këtë bunkerizimi social të domosdoshëm në këto momente.
Sipas sociologut, tashmë shoqëria shqiptare duhet të jetë sa më pak solidare në kuptimin e lidhjes fizike dhe sa më pak miqësorë.
Gezim Tushi: Kërkon një lloj ndryshimi radikal në mënyrën e sjelljes sociale, në stereotipat e vjetra të organizimit sociale, në mënyrën si jemi komunitarizuar, në mënyrën si e kemi kaluar jetën sasiore dhe cilësore. Duhet sa më pak miqësi, sa më pak solidaritet në kuptimin e lidhjeve fizike, sepse distanca sociale, fizike, mbrojtja e trupit është i vetmi mjet që kemi sot për sot. Jemi në një teren që edhe mjeket edhe ekspertët këtu dhe matanë planetit nuk kanë arritur në konkluzionet e shkaqeve dhe jo më pastaj të korrigjimit të tij.