Covid-19 i merr jetën mjekut Kërci, Manastirliu: Mjekësia humbi një prej profesionistëve më të zotë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka shprehur ngushëllimet familjes së mjekut Mihal Kërcit, i cili humbi jetën ditën e sotme përshkak se nuk e fitoi betejën me Covid-19. Përmes një postimi në facebook, ajo shkruan se Kërcin e ka takuar ditën e parë kur mjeku i ndjerë i’u bashkua grupit të anestezistëve. ”Mjekësia shqiptare humbi një prej profesionistëve më të zotë. Në këto momente dhimbjeje, i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të dr. Mihalit. U prehsh në paqe prof. Kërçi”,-shkruan Manastirliu.

Postimi i plotë

Prof. Mihal Kërcin e takova ditën kur iu bashkua task-forcës së anestezistëve, e cila u krijua në fillimin e epidemisë në vendin tonë, së bashku me prof. Roland Xhaxhon dhe prof. Sokol Agollin.

Në muajt e punës me task-forcën e ngritur, ku mjekët e shkëlqyer të anestezi-reanimacionit që iu përgjigjën situatës, vlerësonin nevojat, planifikonin hapat që duhet të hidhnim, me qëllim që virusi të mos na gjente të papërgatitur, rivendosnin në punë respiratorë në shërbimet tona spitalore, organizonin trajnimet me të rejat e fundit, prof Kërçi luajti një rol të rëndësishëm sa profesional aq dhe njerëzor, në mbështetje të planit tonë në luftën kundër Covid-19.

Lajmi që prof. Kërçi nuk ia doli në luftën e tij për jetën, më hidhëroi shumë. Mjekësia shqiptare humbi një prej profesionistëve më të zotë. Në këto momente dhimbjeje, i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të dr. Mihalit. U prehsh në paqe prof. Kërçi.

SHKARKO APP