Covid-19, ja masat që duhet të marrë çdo subjekt tregtar që të mos gjobitet

Që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit,  Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka pasur një rol parësor me inspektimet në terren.

Ky Inspektoriat ka njësinë e vet dhe aeroportin e Rinasit, ku kryen kontrollin e të gjithë udhëtarëve që futen në vendin tonë.

Vjollca Braho, drejtore Pergjithshme e Inspektoriatit për Ora News tha se në fazën e dytë të riatdhesimit, prej 18 prillit janë futur  në Shqipëri 1296 persona.

Braho: ISHSH ka njësinë e vet pranë aeroportit Nënë Tereza ku monitoron të gjithë pasagjerët që hyjnë në Shqipëri. Bëhet monitorimi i matjes së temperaturës, bëhet një pyetësor dhe plotësohet skeda për çdo udhëtar. Nga 18 prilli dhe deri sot janë riatdhesuar 1296 persona. Përmes policisë merren me autobusë dhe çohen në hotelet e përcaktuar. Edhe në hotele bëhet inspektimi çdo ditë për kushtet higjenosanitare dhe masat mbrojtëse.

ISHSH po kaq aktive është edhe me inspektimet e subjekteve tregtare që ushtrojnë aktivitetin në këto kohë pandemie, për të parë zbatimin e masave kundër Covid.

Janë hapur subjektet tregtare, çfarë inspekton ISHSH?

Braho: ISHSH gjatë gjithë kësaj periudhe ka kryer 42463 inspektime në gjithë Shqipërinë. Kemi qenë çdo ditë në terren. Pjesa më e madhe e subjekteve kanë realizuar të gjitha masat për të parandaluar Covid-19. Por 131 subjekte nuk kanë zbatuar masat dhe i kemi gjobitur. Fokusi kryesor i ISHSH në këto ditë dhe në vijim do të jenë qoftë subjektet e reja që janë hapur, qoftë ato subjekte që janë të përcaktuara në protokollin e kuq si fasoneritë, call center-at, objektet që merren me prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen e produkteve ushqimore, tregtimin e bukës, mishit dhe subjekte të tjera. Kemi kontrolluar edhe subjektet shëndetësore për të parë kushtet në të cilat punohet në këtë situatë Covidi.

Po çfarë masash duhet të plotësojnë subjektet, një dyqan që ofron pjesë këmbimi për automjete psh?

Braho: Shikojmë kush është administratori, marrim kontakt me të. Shohim nëse ka bërëe afishimin e protokollit ku përfshihet subjekti, a ka afishuar kush janë simptomat e Covid-19 dhe masat që duhet të ndërmarrë për riskun e Covid-19. Është kryer apo jo procesi i dizenfektimit që kryhet dy herë në ditë.Masat e tjera si maskat, dorezat, dizenfetkuesit duhet të jenë në vendet e punës dhe distancimi social prej 2 metrash. Mirë është që punopnjësit të jenë me kurriz me njëri-tjetrin, kur kjo nuk është e mundur dhe janë përballë duhet të ketë një ndarje me xham, ose plastikë.

Për fasoneritë, call center-at, çfarë masash keni marrë?

Braho: Janë 762 subjekte fason.Kemi kapur me shkelje 35 subjekte ndaj të cilave janë marrë masa administrative, vetëm në Krujë janë mbyllur 6 fasoneri pasi ka pasur punonjës të infektuar. Ndërsa një fason është mbyllur si rezultat i kushteve jo të mira higjeno-sanitare. 4 fasoneri në Gjirokastër gjithashtu nuk kishin marrë masat. Më pas i kanë realizuar këto masa dhe është bërë hapja e aktivitetit. Distanca nuk ka qenë problematike, fillimisht u la 1 metër e gjysmë dhe tani është vendosur 2 metra.

SHKARKO APP