Covid-19, Komisioni Evropian miraton strategjinë e vaksinimit

Komisioni Evropian ka miratuar strategjinë për vaksinimin masiv në BE kundër Covid-19. Me këtë strategji, KiE synon koordinim të plotë në procesin e vaksinimit, qoftë në kohën e zbatimit, përfshirjen e të gjitha grupeve me prioritet dhe posedimin e sasive të njëjta të vaksinave në varësi të numrit të banorëve.

Komisioni kërkon nga shtetet anëtare që të përgatisin stafin e duhur profesional, mjetet e transportit për vaksinat me pajisje dhe kushte specifike. Po ashtu u kërkohet shteteve anëtare një fushatë informimi për qytetarët, për dobitë dhe rreziqet eventuale të vaksinës, për të shtuar besimin e qytetarëve. Sipas këtij plani, prioritet në vaksinim në fillim do të duhet të kenë punëtorët në sistemin e shëndetësor dhe personat mbi moshën 60 vjeçare, ata që vuajnë nga sëmundjet e rënda dhe ata për të cilët gjatë punës së tyre është e pamundur ruajtja e distancimit fizik.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, thekson se siguri i një vaksine të sigurte është qëllimi i të gjithëve. “Një vaksinë e sigurt dhe efektive është qëllimi ynë për të mposhtur koronavirusin dhe për t’u kthyer në jetën normale. Ne kemi punuar shumë për të arritur këtë marrëveshje me kompanitë farmaceutike dhe për të siguruar dozat e nevojshme. Tani, ne duhet të sigurohemi që sapo të gjendet një vaksinë, ne jemi plotësisht të përgatitur për ta shpërndarë atë”,- tha ajo.

Komisionerja e BE-së për Shëndetësi, Stella Kyriakides, tha se vaksina nuk do të sjell me automatizëm zgjidhjen e tërësishme të problemit, por gjithsesi, do të ndihmojë në kthimin e jetës në normalitet për qytetarët. Ajo ka thënë nuk do të bëhet asnjë kompromis me shëndetin e qytetarëve. Komisioni Evropian pret që edhe vendet e rajonit të Ballkanit të ndjekin strategjinë e ngjashme dhe të vazhdojnë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian.

SHKARKO APP