Covid-19/Mezini: Më pak telefonata, njerëzit mos të kenë frikë që të vijnë në spitale

Ministria e Shëndetësisë dha sot lajmin e mirë se në 24 orët nuk është shënuar viktimë nga Covid-19. Për mjekun pneumolog Arjan Mezini ky është një lajm i mirë dhe se është ulur numri i thirrjeve në urgjencë.

”Është një sëmundje me një gravitet shumë të rëndë, 4 herë më vdekjeprurës se gripi stinor. Ajo që ne vërejmë në spitale, është se ka një rënie të numrit të urgjencave. A ka të bëjë një rënie të agresivitetit të virusit, apo njerëzit qëndrojnë në shtëpi, vazhdojnë trajtimin sepse kanë frikë nga spitali, këtë nuk e them dot”,- tha mjeku.

Nga ana tjetër, ai u bëri thirrje njerëzve që të mos kenë frikë për të shkuar në spital, pasi mjekët bëjnë përpjekje të mëdha për të shpëtuar jetë.

”Njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga ardhja në spital atëherë kur është e nevojshme, sepse në çdo spital përpjekjet e mjekëve janë maksimale për të shpëtuar jetë. Qendrimi në shtëpi për një kohë të gjatë kur gjendja vjen duke u agravuar, bën që pacienti të vijë në gjendje të rëndë, ku dhe spitali ka shumë pak mundësi për të dhënë ndihmë. Është një sëmundje që shkakton një pneumoni shumë të rëndë. Do bëja thirrje që njerëzit të mos kenë frikë që të shkojnë në spitale”, tha më tej mjeku për ”Ora News”.

SHKARKO APP