Covid 19, mjeku shqiptar në Itali: Imuniteti i tufës vetëm përmes vaksinës, duhet ta marrin edhe ata që e kanë kaluar virusin

Ndërsa në rang global ka një debat nëse personat që e kanë kaluar Covid 19 duhet ta bëjnë apo jo vaksinën, mjeku kirurg shqiptar në Milano, Albert Troci, sugjeron që po, duhet ta marrin.

Për Ora News, ai shprehet se vaksina vetëm sa do ta forcojë imunitetin natyral te këta persona të krijuar nga kalimi i virusit.

Troci: Imuniteti që jep vaksina është pak ndryshe nga imuniteti që jep në mënyrë natyrale infektimi me virus. Besohet që mund të jetë një supervaksinë si ajo e tetanozit që mund të na japë imunitet për 2 vjet.Edhe persona që e kanë kaluar Covidin këshillohet të bëhet vaksinimi sepse i jep një shtim të imunitetit.

Mjeku garanton në sigurinë afatshkurtër të vaksinës, ndërsa në afatgjatë thotë se do të duhet të presim, por të dhënat paraprake nuk parashikojnë pasoja.

Troci: Vaksina është shumë e sigurt, të dhënat e sigurisë janë të larta. Për sigurinë dhe efikasitetin afatshkurtër jemi shumë të qetë. Por për çdo ilaç të ri në afatgjatë nuk dihen efektet që do të ketë pas 5 vitesh, por besohet se nuk do të ketë asnjë lloj efekti. Në botë janë vaksinuar rreth 32 mln banorë, shumica Pfizer. Italia është vendi i parë në Europë, me përjashtim të Britanisë së Madhe, janë rreth 910 mijë persona në Itali.

Edhe imunitetin e tufës ai e sheh të mundur vetëm përmes vaksinës.

Troci: Në Itali janë bërë disa studime. Në disa zona si Lombardia rreth 20% e kanë kaluar Covidin, në disa zona është më i ulët, sidomos jugu. Ajo që do të na çojë në imunitetin e tufës janë vaksinat. Pretendojmë të arrijmë shifrën 60-850% që do të na çonte në daljen nga pandemia dhe kthimin në jetët tona.

Sakaq shkencëtarët në Itali kanë arritur në krijimin e një vaksine të tyre, me efektivitet 92.5%.

Troci: I ka kaluar fazat e para të studimit klinike. Nëse do të punohet me ritme të larta dhe do të kalojë fazat e tjera mund ta kemi në duart tona nga  qershori dhe korriku. Do të ishte pozitive, jo vetëm për Italinë por mbarë botën. Vendet e zhvilluara kanë treguar pak solidarë me ekonomitë më të vogla. Virusi nuk njeh kufij, përdersia nuk do të vaksinohet një pjesë e mirë e globit do të jemi përherë në pre të pandemisë.

Troci - Imuniteti i tufës vetëm përmes vaksinës, duhet ta marrin edhe ata që e kanë kaluar virusin

SHKARKO APP