Covid-19 ndryshon ish-deputeten: Në spital humba 6 kg, vuajta për shkak të diabetit
Ish-deputetja e LSI-së, Nora Malaj ka treguar vuajtjet që ka kaluar gjatë 3 javëve në spital. Malaj për “News 24” ka treguar se ka humbur 6 kg në 21 ditët e betejës me Covid 19. Ajo rrëfeu se fillimisht mendonte që ishte prekur nga gripi, por skaneri tregoi që po kalonte virusin.
”Kam kaluar tre javë jo të lehta. Se dija që ishte covid, mendova që ishte ftohje. E ndjeva veten të dobët, kisha temperaturë dhe kollë. Bisedova pastaj me mjekun Pipero, u alarmua edhe ai për shkak të diabetit që e kam pak të agravuar. Bëra disa analiza, u konstatua që ishte korona. Skaneri e përcaktoi përfundimisht se kisha arritur kulminacionin në ditën e 5-të. Kam marrë holluës gjaku për ta përballuar, më ka lënë disa probleme edhe tek sytë, por edhe në rrugët urinare. Rashë gati 6 kg brenda 21 ditëve”.
Ajo tha më tej se nga virusi është prekur edhe burri i saj. Ish-deputetja njoftoi pak ditë më parë se kishte fituar betejën me COVID-19. Ajo rrëfeu se për ditë me radhë ka pasur temperaturë, djersitje dhe dhimbje gjymtyrësh.