Covid-19 në burgje/Të prekur 36 punonjës, kurse 85 janë në karantinë

Covid-19 ka hyrë pothuajse në çdo institucion në Shqipëri. Nga mbi 5000 punonjës policorë dhe civilë të stafit të burgjeve në të gjithë vendin, aktualisht rezultojnë 36 punonjës pozitiv dhe 85 janë në karantinë, të dyshuar si të infektuar. Katër prej të infektuarve janë në pozicione drejtuese. Nga 5000 të dënuar dhe të paraburgosur vetëm gjashtë prej tyre kanë shfaqur simptoma të lehta të Covid-19 dhe janë karantinuar në mjediset e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Shënkoll, që është dhe burgu i përcaktuar për izolimin e rasteve me Covid-19. Të gjashtë të burgosurit vijnë nga IEVP-ja e Tepelenës.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve, në Qendrën Spitalore të Burgjeve, ku trajtohen të dënuarit e dyshuar me Covid-19, nuk ka asnjë të shtruar me Covid-19. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, mësohet se ka inspektuar IEVP-në e Shënkollit për të verifikuar situatën e respektimit të masave të sigurisë dhe atyre anti-covid.

”Në Qendrën Spitalore të Burgjeve, ku trajtohen të dënuarit e dyshuar me Covid19, nuk ka asnjë të shtruar me koronavirus. Të 6 të dënuarit vijnë nga IEVP e Tepelenës, aktualisht të transportuar dhe izoluar në IEVP Shënkoll. Vetë Ministrja e Drejtësisë ka inspektuar para 4 ditësh IEVP e Shënkollit në Lezhë për të verifikuar personalisht situatën me respektimin e masave të sigurisë dhe ato anticovid për stafin e burgjeve dhe të dënuarit dhe të paraburgosurit në këtë IEVP”,-thuhet një njoftimin zyrtar.

Nga ana tjetër, punonjësit e këtyre institucioneve të vuajtjes së dënimit, kishin paralajmëruar një grevë, që nuk u bë. Disa ditë më parë, në një intervistë për “Koha Jonë”, kreu i Sindikatës së Shërbimeve Policore, Valentin Mucaj, thoshte se “Sistemi po vuan për kapacitete menaxhuese të kualifikuara, pasi drejtuesit këshillohen nga zyrtarë servile që ndërrojnë 7 lëkurë në disa pushtete që shkojne e vijnë, dhe po dëmtojnë imazhin e një sistemi që nuk po njeh atë nivel që kërkojnë kërkesat e ligjit, dhe kushtet e një vendi kandidat për në BE. Kjo mënyrë këshillimi, ku vetëm në Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, vartësi i një drejtuesi sektori është edhe epror i tij, sipas komandimit të paligjshëm, ka krijuar amulli dhe dëm të madh”.

Një gabim me dashje është miratimi i ligjit 80/2020, në nenin 14 të tij, ku përfaqësuesi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ngulmoi në Komisionin e Sigurisë që të hiqen armët për të gjithë stafin policor, përjashto vetëm forcat operacionale. “Ne kundërshtuam fort këtë propozim aspak ligjor dhe në mbrojtje të punonjësit të policisë. Kemi një acarim të stafit për shkak të këtij neni, pasi ndihen të pambrojtur dhe pa siguri të jetës e familjes nga shkelësit e ligjit”. Burgjet shkuan edhe në foltoren e Kuvendit. Deputeti Lefter Maliqi, mes të tjerave përmendi disa emërime që janë miq të deputetëve apo ministrave socialistë. Sipas tij, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, vetëm në 19 muaj nga emërimi ka kryer 250 komandime. Por më e rëndë është deklarata se në zyrat e drejtorëve ka edhe skandale seksuale.

SHKARKO APP