Covid-19 në Shqipëri, pse u përkeqësua situata në këtë periudhë?

Pas disa mujave, sot Komiteti Teknik i Ekspertëve iu rikthye mbledhjeve, kjo për shkak të përkeqësimit të situatës së Covid-19 në Shqipëri, ku kemi një rritje të infektimeve, deri rreth 1 mijë një ditë dje dhe sot. Ekspertët thanë se në këtë moment nuk do të ketë masa shtesë, ndërsa rekomanduan vaksinimin me dozën e tretë dhe mbajtjen e maskave në ambientet e mbyllura.

“Kjo ishte një situatë e pritshme. Covid ka qarkulluar me valë që kanë pasur pikun e tyre. Tani jemi në fillimin e një vale të re, që është vala e fillimit të stinës së verës, e cila po ndjehet edhe në Europë. Kjo valë nuk ka ardhur si pasojë e heqjes së masave. Mbizotëron varianti BA.2, por ka edhe qarkullim të varianteve BA.4 dhe BA.5”, u shpreh epidemiologu Artan Simaku.

Epidemiologu Ledion Shapo mendon ndryshe, duke thënë se kjo situatë nuk ishte e pritshme në Shqipëri, duke qenë se pati një periudhë gati 3 mujore me raste të pakta.

“Nuk ka qenë e pritshme pasi 3 muaj qetësi absolute. Situata tani është ndryshe. Në Britani, BA.4 dhe BA.5, nënvariante të Omicron janë duke qarkulluar që nga marsi dhe kanë krijuar një valë të re. Të paktën varianti BA.5 është rreth 35% më i transmetueshëm krahasuar me BA.2, i cili anashkalonte imuniteti e krijuar deri në këto momente. Unë besoj se në Shqipëri ka hyrë BA.4 dhe BA.5. Me lëvizjet e dendura të njerëzve”, u shpreh Shapo.

SHKARKO APP