Covid-19 në Tiranë, 5 vatrat e nxehta të virusit. Në lokale, festa pa maskë
Tirana është një nga qarqet më të prekura nga pandemia e Covid-19 dhe çdo ditë raste e reja shënohet në këtë qark. Ish-Blloku është një nga zonat më të njohura të Tiranës dhe vendi i preferuar për jetën e natës veçanërisht nga të rinjtë. Gjatë testimit dhe hetimit të rasteve, specialistët kanë konstatuar më shumë infektime në moshat e reja dhe ato që janë në marrëdhënie pune. Gjithçka ka ardhur nga shkelja e rregullave.
”“Risku jo më moshat e treta, tani janë moshat e reja. Kjo vjen nga grumbullimet në kafene, klube të ndryshme, tubime dhe festa”. Edhe pse infeksioni ka kaluar në transmetim komunitar, epidemiologët thonë se Covid-19 ka krijuar 5 vatra të nxehta në Tiranë.
Zona Covid dhe me rrezik më të shtuar janë dhe “Komuna e Parisit”, “Kodra e Diellit”, zona e Astirit dhe Kamza. Përveç densitetit të shtuar në këto zona është vënë re frekuentim i lokaleve pa masa mbrojtëse, pjesëmarrje në festa dhe në ceremoni mortore.
”Nëpërmjet referimeve të mjekëve të familjes dhe 127, shikojnë që nga këtu vijnë referimet më të shpeshta dhe pas marrjes së tamponit rezulton se pozitiviteti është më i përqendruar aty. Janë persona në marrëdhënie pune, por jo vetëm pasi jemi në transmetim komunitar”. 250-300 tamponë kryhen çdo ditë në Tiranë. Specialistët bëjnë thirrje për respektim të masave dhe kujdes më të shtuar pas rikthimit të fëmijëve në kopshte e shkolla.