COVID-19/ Nisin hetimet për shitjen online të bombolave të oksigjenit
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për shitjet online të bombolave të oksigjenit.
Organi i akuzës po verifikon të gjitha faqet online ku shiten aparatura oksigjeni, pasi pjesa më e madha e tyre dyshohet se i kryejnë shitjet në mënyrë të jashtëligjshme.
Çmimi i një aparati oksigjeni në faqe të ndryshme online varion 500-800 euro. Por, ato jepen edhe me qira ditore, vlera e të cilëve shkon 100-120 euro.
Indicien e parë për nisjen e hetimeve të aparaturave të oksigjenit që shiten online, prokuroria e mori tri javë më parë, pas kallëzimit të dy vëllezërve, të cilët për babanë e tyre të infektuar me COVID-19 fillimisht përdorën aparatura oksigjeni që kishin blerë në “Facebook”.
Në kallëzim thuhet se dy vëllezërit e çuan babanë në spital, 4 ditë para se ai të ndërronte jetë.
Gjithashtu, prokuroria është duke hetuar edhe rastin e së dielës, ku një të moshuari i shpërtheu bombola e oksigjenit në banesë, duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda. Raportohet se në këtë banesë u gjetën edhe dy bombola të tjera oksigjeni, të cilat dyshohet se janë blerë nga familjarët e tij në mënyrë private.
Kujtojmë se javët e fundit ekspertët kanë theksuar se bombola e oksigjenit nuk mund të përdoret në kushte shtëpie pa asistencën e nevojshme të mjekëve.