Covid-19 nuk ka ikur ende, pritet një vjeshtë jo e qetë
U bënë afro 4 vite që Covid-19 vijon të infektojë e madje çojë drejt vdekjes njerëz. Në gjysmën e parë të gushtit, ndonëse me shifra të luhatura, në vend janë regjistruar gati 10 mijë raste të reja infektimesh nga koronavirusi.
Infektimet në 2 javët e para të këtij muaji janë 3-fish më të larta se e njëjta periudhë e një viti më parë e 5-fish më shumë se në 2020-n, vit i cili shënjoi rastet e para me Covid në vend. Vdekshmëria si pasojë e infektimeve, kryesisht te grup-mosha mbi 65 vjeç ka pasur rritje krahasuar me gjysmën e parë të gushtit të vitit të shkuar, por mbetet më e ulët se në 2020-n.
Vaksinimi është cilësuar si arma kryesore ndaj pandemisë duket sikur ka mbetur në vendnumëro. Shifrat, ndonëse muajt kalojnë janë thuajse të pandryshuara. Teksa gushtit po i vjen fundit, mjekët në vend dhe ata ndërkombëtarë kanë paralajmëruar për një vjeshtë jo të qetë e dimër që mund të rikthejë shifrat e larta të infektimeve e fataliteteve si pasojë e Covid-19.