Covid-19/Rusia teston vaksinën, publikohen për herë të parë pamjet e koronavirusit
Shkenctarët rusë po testojnë prototipe të ndryshme vaksinash, kundër Covid-19, për të gjetur të duhurën kundër Koronavirusit.
Këtë javë, ata “nisën studimet e imunogjenit tek kaviet laboratorike …,” njoftoi përmes një deklarate Instituti Vektor.
Përbërja, doza, mënyra e administrimit të vaksinës së ardhshme do të përcaktohet përmes testimeve, raporton abcnews.al.
Shkencëtarët deklaruan se prodhimi i vaksinës do të jetë i mundur në tremujorin e katërt të vitit 2020.
Ndërkohë shkenctarët rusë kanë fotografuar edhe imazhet e “vrasësit të padukshëm” i quajtur Covid-19.
Madhësia e këtij virusi është 100-120 nanometra. Imazhet u morën me metodën e kontrastit negativ në një mikroskop elektronik transmetimi JEM-1400.
Instituti i Shendetit Publik kishte deklaruar më herët se zhvillimi i vaksinës mund të zgjasë nga katër deri në gjashtë muaj, ndërkohë që për produktin përfundimtar do të duhen deri në 3- vjet. Gjithsesi shkencëtarët e institutit rus janë shprehur optimistë se vaksina do të vijë shumë më shpejt.
Organizata Botërore e Shëndetit vlerësoi se prodhimi e vaksinës kundër Covid -19, kërkon një kohë nga 12-18 muaj.
Nga e Premtja deri sot, Rusia ka konfirmuar 199 raste infektimi nga koronavirusi ndërkohë që ditën e enjte u tha se u shënua dhe vdekja e parë nga ky virus, por autopsia e viktimës më pas, rezultoi se gruaja 79-vjeçare e cila vuante edhe nga shqetësime të tjera shëndetësore, kishte vdekur në të vërtetë nga një mpiksje gjaku.
Në gjithë botën, Covid-19 ka infektuar 250,000 raste vetëm këtë javë, duke vrarë 10 000 njerëz në shumë vende, që prej fillimit të shpërthimit në qytetin kinez Wuhan, dhjetorin e kaluar.
Nuk ka ende asnjë vaksinë dhe asnjë trajtim të drejtpërdrejt mbi këtë virus.