Covid-19 “shkreton” edhe kishat, imzot George Frendo: Kjo situatë do të kalojë

Fundjava e Pashkëve këtë vit, e ka gjetur katedralen e Shën Palit në kryeqytet si asnjëherë më parë. Ndalimi i besimtarëve në institucionet fetare për shkak të situatës së Covid-19 ka bërë që në kishë, përveç stafit, të mos gjendet askush tjetër. Imzot George Frendo tregon se kjo situatë nuk i ka ndodhur kurrë në jetën e tij, teksa jep dhe një mesazh shprese për të gjithë besimtarët. Situata e coronavirusit nuk i ka frikësuar aspak priftërinjtë të cilët vijojnë të pa shqetësuar komunikimin me Zotin.

“S’kam frikë as nga coronavirusi e as nga vdekja, megjithatë duhet të kem parasysh përgjegjësinë time, sepse nëse infektohem unë mund të infektoj të tjerët dhe për këtë duhet të merren masa që mos të infektohem”, tha at Geroge Frendo për Euronews Albania.

Këtë vit, në meshën e madhe të pashkëve në të gdhirë të së dielës, në katedrale do të jenë vetëm 30 persona, të gjithë të autorizuar, teksa gjatë mbajtjes së ritualeve do t’i vihet rëndësi distancës dhe kushteve shëndetësore. “Këtu kemi 40 banka, do të kemi nga një person në çdo bankë, që të mbajnë distancë. Nga pikëpamja shëndetësore kemi marrë të gjitha masat”. Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit, At George Frendo e mbyll bisedën me një mesazh shprese për të gjithë. “Edhe kjo situatë do të kalojë”.

SHKARKO APP