Covid 29/ Soreca i dorëzon Institutit të Shëndetit Publik 20 mijë testet e dhuruara nga BE
Në kuadër të ndihmës ndaj luftës me koronavirusin Bashkimi Evropian i ka dhuruar Shqipërisë 20 mijë komplete testimi.
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca këtë të premte ka dorëzuar mostra materialesh kontrolli të testimit për COVID-19 pranë Institutit të Shëndetit Publik të Shqipërisë, autoriteti i testimit për Covid-19 në vend.
Përmes një deklarate për mediat thuhet se dhurimi është pjesë e ndihmës më të gjerë të BE-së për Shqipërinë në luftën kundër COVID-19.
Materiali kontrollues i krijuar së fundmi po përdoret nga laboratorët në BE për të kontrolluar funksionimin e saktë të testeve të koronavirusit.
“Kompletet janë thelbësore për të shmangur rezultatet e rreme negative të testimit dhe veçanërisht të rëndësishme në një moment kur autoritetet publike po shqyrtojnë zbutjen e disa kufizimeve të lirisë së lëvizjes. Këto komplete janë krijuar nga Qendra e Përbashkët Kërkimore e BE-së dhe po u dhurohen vendeve partnere të BE-së në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në deklaratën e ambasadës së BE.
Bashkimi Evropian gjithashtu po e mbështet Shqipërinë me 50 milionë Euro për të luftuar COVID-19.
Tashmë janë kontraktuar 4 milionë Euro për furnizimin me pajisje mjekësore për shpëtimin e menjëhershëm të jetës.
Ndërsa deri më tani ka dhuruar edhe 3.000 dezinfektues duarsh për policinë shqiptare. Ndërsa ka siguruar që për rimëkëmbjen sociale do të dhurojë 46.7 milionë Euro.
Ndër të tjera ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca, theksoi se Komisioni Evropian iu kundërvu sfidave globale të paraqitura nga pandemia e koronavirusit me një paketë reagimi mjaft ambicioze prej më shumë se 15.6 miliardë Eurosh .
“Komisioni Evropian iu kundërvu sfidave globale të paraqitura nga pandemia e koronavirusit me një paketë reagimi mjaft ambicioze prej më shumë se 15.6 miliardë Eurosh. Ndërsa Bashkimi Evropian po bën çmos për t’i mbështetur qytetarët e tij, është gjithashtu detyra jonë të ndihmojmë partnerët dhe miqtë tanë. Ndikimi te partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor ka të ngjarë të jetë dramatik. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku me autoritetet shqiptare për t’i trajtuar këto sfida të përbashkëta”.