Italiani i shquar Nicola Grauso për Huffpost: COVID-i, një aleat i shkëlqyer i revolucionit të internetit

Intervistë me Nicola Grauso

Pionieri e internetit i përgjigjet Huffpost: “Pas 200 vjetësh, një historian do të thotë që falë pandemisë, njerëzimi u detyrua të ndryshojë gjithçka. Nga “puna në shtëpi” nuk do të ketë kthim mbrapa. Zyrat dhe dyqanet do të zbrazen. 5G do të ndryshojë përsëri jetën tonë”.

Disa e shihnin Nicola Grauso si Christopher Columbun. Një pionier që zbuloi internetin, kur askush ende nuk e imagjinonte, që një ditë kompjuteri do të ishte i pranishëm në çdo shtëpi. “Të gjithë do të lidheshin me rrjetin. Çdo shtëpiake, çdo fëmijë. Dëshiron të hysh në bibliotekën e Yale? Ja ku është. Futbolli është një top? Ja ku është adresa me rezultatet, renditjen, historitë, statistikat. Kam miliona, miliarda projekte. Videoja On Line do të jetë një vitrinë e autorit. E di, duket e pabesueshme, absurde, shumë e largët. Por edhe kompjuteri njëzet vjet më parë ishte një alien…”.

Në vitin 2000, në një intervistë të gjatë me Foglio, Nicola Grauso rrëfeu “vizionet” e tij, gjenezën dhe përfundimin e projektit të tij më të madh Video On Line.

Ai parashikoi që interneti nuk do të ishte një mjet, por vendi, ku mund të fitohej në internet dhe jo me internet. Më shumë sesa revolucionare, idetë e tij atëherë dukeshin të pakuptueshme: sepse ai pa të ardhmen që nuk ishte. Grauso ishte një netman, i cili merrej si një profet, i zbathur dhe i pakrehur. Ai ishte i pari që kuptoi që bota e medias mund të ndryshonte rrënjësisht falë inovacionit teknologjik. Në Cagliari, nga selia e tij, informatikët që punonin me të krijuan webmail-in e parë në botë.

Nga hulumtimi i Video On Line, lindi Tin.it, Tiscali dhe Fastweb, si dhe shumë internet provider në të gjithë botën, të cilët në atë kohë, u lidhën me atë realitet. Kishte të rinj nga të gjitha kombësitë, kishte takime me thirrje me të gjithë botën, kishte gazetarë dhe inxhinierë që punuan së bashku. Dhe ishte viti 1994. Sot Nicola Grauso është 71 vjeç, dhe ne e intervistuam atë për ta pyetur edhe një herë se si e imagjinon të ardhmen.

Grauso si e zbulove internetin? Dhe si e ndryshoi jetën tuaj?

“Ju rrëfej një sekret. Kam mbartur njohuritë e mia, përvojat e mia, udhëtimet, gëzimet, dhimbjet, sigurinë time, por edhe, ose mbi të gjitha, shkatërrimet e mia dhe qëndrimin e atij që është të gati të mos befasohet nga asgjë. Kisha fituar aftësinë ta ndaj realitetin në elemente shumë të vogla. Ishte viti 1992-93 dhe unë u vendosa nga një teknik i imi para internetit. Pata vizione të menjëhershme. Ishte e qartë se ky rrjet do t’i vinte të gjithë në komunikim, se kostoja e lidhjes së internetit do të ishte më e ulët se ajo e tubave të ujit ose gazit. Ishte e thjeshtë: çdo shtëpi do të kishte një lidhje të shpejtë. Fushatat reklamuese të Video On Line parashikuan gjithçka. Në një manifestim shkruajtëm “Ëndërrojmë ditën kur interneti do të jetë një e drejtë si buka”.

“Për mua ishte e qartë, para syve të të gjithëve, por shumica e njerëzve me të cilët flisja nuk e dinin se çfarë do të thoshte “internet” ose “web”. Ishte e natyrshme që lidhja me internetin do të lejonte punën në distancë. Mjaftonte të shikoje faqet e internetit për të kuptuar se ato ishin një mundësi e shkëlqyer tregtare. Falë rrjetit, fluturoja në Afrikë, në Amerikë, vizitoja vende të mahnitshme. Kuptova që puna do të kalonte nga rrjeti. Dhe teorizova: “Interneti do të shkrijë Manhattanin”. Mundësia për të punuar nga çdo vend do t’i çlironte njerëzit nga detyrimi për të jetuar në ato qela, të futura në një qiellgërvishtëse, duke humbur një orë në mëngjes për të shkuar në punë dhe një orë për t’u rikthyer në mbrëmje “.

Në praktikë, ju teorizonit punën në distancë, një realitet që po merr formë tani, pas emergjencës së Covid.

Puna në distancë për të gjithë do të vinte mbase brenda 50 viteve. Covid e ka përshpejtuar këtë proces, por ka gjithmonë nga ata që përpiqen të ndalojnë të ardhmen. Më duket se po përjetoj kohën kur fola me sindikatat për të futur teknologjitë e reja në gazeta, kur ishte ende Linotype. Thoja: “Nëse Indianët kur arriti hekurudha në far west do të hipnin në trenat, në vend që t’i sulmonin duke i hedhur kundër shigjeta, sot në Amerikë do të ishin ata”. Unë isha personi që njoftova se çfarë po ndodhte, por ata më penguan sikur të kisha qenë unë shkaku i ndryshimit. Dhe duke menduar se mund të më ndalonin, supozonin se do të ndalonin përparimi”.

Bota që imagjinonim pas shumë vitesh, me Covidin ka arritur sot. Si do të ndryshojë puna? Cili do të jetë evolucioni i kësaj faze që po përjetojmë?

Ju imagjinoni një cunami që përplaset kundër një digë. Që e ka fundosur dhe që ka bërë që të kalojnë këto mënyra të reja të punës, duke ua bërë që t’i provojnë të gjithë. Menjëherë pas fluksit të ujit ajo do të kthehet mbrapsht. Por vetëm pjesërisht. Do të ketë nga ata që do të vendosin të përkrahin menjëherë punën në distancë, dhe zgjedhja nuk do të varet aq shumë nga lloji i veprimtarisë, sa nga koka e personit që i menaxhon ato. Dhe atëherë do të ketë nga ata që do të përpiqen për restaurim total ose të pjesshëm. Por në fund, edhe ata që do të rivendosin sistemet e vjetra, në një kohë maksimale 4-5 vjet, do të kthehen në punën në distancë ”.

“Interneti do të shkrijë Manhattanin.” Por pasojat ekonomike?

“Do të ketë një fazë të parë, e cila do të boshatisë zyrat, pronat tregtare në katet e para, edhe për shkak të efektit të Amazon, Alibaba dhe të gjitha webeve të tjera komerciale. Dhe ne do të jemi dëshmitarë të katastrofave. Sistemi ekonomik global në tërësi do të përfitojë prej tij, por brenda këtij sistemi është e qartë se do të ketë nga ata që do të ngrihen dhe që do të shkatërrohen. Fenomeni i nomadëve dixhital do të bëhet realitet për shumë njerëz. Do të ketë nga ata që jetojnë dhe punojnë tre muaj në Romë, dhe pastaj mund të transferohet në co-sharing në Asmara, ose në Sardenjë. Dhe pastaj imagjinoj se do të ketë shumë njerëz që do të kthehen të jetojnë në fshat, përgjatë detit, në male, në shkretëtira dhe në pyje.

Shumë njerëz do të bëhen indipendent në prodhimin e energjisë së nevojshme për ta. Bashkimi i ftohtë i Fleischmann dhe Pons, shumë i derivuar, do të bëhet realitet. Teknika e shfaqjes së imazheve përmes hologramave do të lejojë një realitet gjithnjë e më të madh në shikimin e objekteve apo njerëzve të largët. Aplikimet e zbulimeve të tanishme dhe të ardhshme të neutrinos dhe aftësisë së tyrë të përshkojnë materien për miliona kilometra dhe që mund të ndalohen vetëm nga kristale dhe zhvillimi i nanorobotëve do të krijojnë mundësi sot të paimagjinueshme “.

Me pak fjalë, do të harrojmë realitetin me të cilin jemi mësuar?

“Alvin Toffler e teorizoi atë, në një libër të vitit 1980 të quajtur” Vala e tretë “, ku përshkruante kalimin dhe kthimin në epokën bujqësore. Kush do të jetojë në fshat do të jetë autonom nga pikëpamja e energjisë, me sisteme panelesh diellore ose furnizime me energji nga era, do të kenë një kopsht perimesh, kafshë. Pastaj do të ketë nga ata që do të lëvizin me tërë familjen. Kjo është arsyeja pse unë besoj se meriton një diskutim të veçantë shkolla.

Me një tabletë me një kosto industriale më të vogël se 50 euro, mësimi gjithashtu do të jetë në distancë. Shkolla tradicionale do të mbetet vetëm një pjesë të vogël. Kushdo që dëshiron mund të udhëtojë dhe të studiojë në distancë. Një avantazh i jashtëzakonshëm për të gjithë, përveç natyrisht për ata që shtypin ose transportojnë libra, të cilët do të pësojnë një reagim negativ të pashmangshëm”.

Pra, për ju ndryshimi është pozitiv?

“Pas dyqind vjetësh do të ketë një historian. Ky historian do të shkruaj: “200 vjet më parë, në vitin 2020, ndodhi një ngjarje jashtëzakonisht pozitive në planet, i cili për pak milion vdekje e detyroi njerëzimin të ndryshojë stilin e jetës së saj. Historiani mund ta bëjë këtë deklaratë. Siç ndodh kur historianët komentojnë fakte të largëta. Kjo është ajo që po ndodh”.

Përshpejtimi që ka ndodhur në botën dixhitale po çon shumëkombëshet e mëdha amerikane, të tilla si Facebook, Google, Apple, Amazon, të ristrukturojnë biznesin e tyre. Duan të hyjnë në këtë botë të re. Dhe të diktojnë rregullat.

“Këta gjigantë do të marrin një fuqi që do t’i bëjë ata të mbivendosin mbi rolet e shteteve, ose të paktën t’u bashkohen atyre. Do të ndryshojnë të gjitha paradigmat, të gjitha modelet. Për shembull, Italia do të bëhet gjithnjë e më shumë një koncept gjeografik dhe gjithnjë e më pak një koncept ekonomik. Një proces, që tashmë ka filluar me hyrjen në Evropë”.

Administrata e Klintonit në vitet 1990 zgjodhi të rregullojë internetin vetëm në një moment të dytë. U tha që ne fillojmë të luajmë pastaj vendosim. Kështu që Google, Facebook Twitter, Microsoft, Apple, Amazon dhe kompanitë e ndryshme dixhitale diktojnë rregullat. A do të jenë shtetet në gjendje ta ndalojnë këtë proces?

“Interneti është një element vetë-rregullues, e kam thënë atë nga dita e parë në 1993. Evropa, ligjet, nuk do t’i ndalojë kurrë këto kompani të mëdha. E pamundur për t’i ndaluar dhe rregulluar ato. Amazon, për shembull, tashmë ka një fuqi të tillë që në të ardhmen do të vendosë më shumë sesa qeveritë në fushën e shpërndarjes, por edhe në prodhimin e mallrave “.

Nëse shpikja e internetit është e krahasueshme vetëm me motorin me avull, 5G ku do të na cojë?

“Sa më e madhe shpejtësia, aq më e vogël latenca. Secili mund të zgjedhë jetën e tij. Do të kemi qytete inteligjente, makina me drejtim autonom, do të ketë kontroll total të individit. Por mbase qytetari nuk do të jetë më në qytete. Mjafton të mendosh që 5G do të lejojë teknologjinë e hologramit me çmime më të përballueshme. Ndoshta pas disa vitesh, këtë intervistë do ta kishim bërë këtu në Cagliari, me mua të pranishëm dhe ju me një hologram”.

Kur lindi Video On Line, njerëzit flisnin për të si vizionar. Në redaksi nuk kishte dollapë sepse nuk kishte nevojë për internet, kishte kompjuterë të lidhur me rrjetin, kishte netmen dhe inxhinierë. E çfarë duhej të ishte?

“Video On Line nuk ishte një kompani, ishte një projekt ideologjik. Kishin 200 vetë që punonin së bashku: italianë, kinezë, arabë, amerikanë. Ishte një model i vogël se si do të shkonte bota. Ne ishim me qendër në Teheran, kishim 40 bashkëpunëtorë në mbarë botën. Të shikosh ndërverpimin e këtyre njerëzve me njëri-tjetrin, do të thoshte për mua të eksperimentoja modelet e ardhshme. Dhe kështu në Cagliari lindi webmail-i i parë, kemi punuar në modele të transmetimit audio dhe video në distancë. Madje bëmë Festivalin e parë të Sanremos përmes internetit.

Ne ndërtuam embrionin e parë Expedia, dhe një për shitjet në distancë. Të gjitha këto modele mbaheshin në një valixhe pleksiglas, që ne ua jepnim atyre që vinin për të vizituar Video On Line. Kishte gjithashtu një motor kërkimi, sigurisht që nuk evoloi si Google. Bënim edhe përkthime automatike, me një “metaforë” ”.

Në çfarë kuptimi?

“Ju shpjegoj. Në faqen kryesore të Video On Line kishte një buton që lexonte “Qendra e përkthimit në Tiranë”. Në Tiranë kishte një radio, në vitet e Luftës së Ftohtë, që transmetonte radio gazetën në 40 gjuhë të botës. Bëra me ta një marrëveshje: kush kishte nevojë për përkthime mund të dërgonte kartelën e tij duke klikuar në butonin “Qendra e përkthimit në Tiranë”. Ishte jorealiste nga ana jonë, por që atëherë kuptuam nevojën për tekste të përkthyera ”.

Nëse sot do të themelonit një gazetë të re, çfarë do të bënit? Si do ta strukturonit?

“Gazeta e re do të quhej “Bashkëkohorja”. Në gazetë kërkohet lajmi, shkruhet, faqoset, gjithçka dërgohet në shtypshkronjë. Pastaj ngarkohet në makina dhe dërgohet tek gazetashitësit. Rrjeti ka revolucionarizuar këtë koncept. Gazeta, se do të kishte ekzistuar interneti nuk do të kishte lindur. Në “Bashkëkohore” lajmet jepen kur ndodhin. Ne e bënim që në 93-94. Lajmet lundronin vetë, udhëtonin sikur të ishin marrë nga agjencia. Sot “Bashkëkohorja” duhet të ketë sisteme të dërgimit të lajmeve push, me informacion të personalizuar. Nëse më pëlqen një gazetë, duhet të njoftohem sipas sektorit që ndjek, dhe të kem një azhurnim të tërë ose të pjesshëm: vetëm një argument, vetëm një gazetar, vetëm lajme të huaja, vetëm lajme politike”.

Dhe nga pikëpamja ekonomike, si financohet “Bashkëkohorja”? Me reklamim, abonime?

“Ende sot shoh klientë që blejnë në internet sikur të blinin në faqet e gazetave. Ky është një mekanizëm që me kalimin e kohës vdes. Nuk mund të mendosh se të blesh një banner mund të plotësojë ofertën tënde tregtare. Më parë, koha e përdoruesit ishte e ndarë midis disa televizioneve dhe disa gazetave. Sot, me të njëjtën kohë, propozimet janë rritur. Për këtë, është thelbësore që të drejtohen reklamat në maksimum: vetëm gra, vetëm avokatë, vetëm mjekë, vetëm njerëz të një grupmoshe të caktuar. Abonimet, nga ana tjetër, mund të funksionojnë vetëm nëse bëhet një produkt i jashtëzakonshëm, sepse sasia e propozimeve është shumë e lartë ”.

Në intervistën me katër episode që i dhatë Foglio-s, parashikuat se interneti nuk do të ishte një mjet, por një vend. Thatë: “Nuk fitohet me internet, por në internet.” Ishte një koncept revolucionar dhe i pakuptueshëm..

“Ishte gjithçka e thjeshtë. Por duhet thënë se ka pasur edhe nga ata që kanë fituar para me internet. Në periudhën e Video On Line Nicholas Negroponte kalonte periodikisht në Cagliari. Francesco Micheli vinte shpesh gjatë fundjavave. Pastaj krijoi Fastweb. Renato Soru ishte një nga bashkëpunëtorët e Video On Line dhe më pas themeloi Tiscali. Kur u detyrova të shisja nga Video On Line, lindi Tin.it. Dhe këta janë të gjithë njerëz që kanë fituar me internet. Në internet pastaj kanë fituar të gjithë të tjerët. Mjafton të mendosh Amazon”.

Cili ka qenë çmimi që ju keni paguar?

“Para së gjithash, një armiqësi e fortë, veçanërisht në nivelin lokal. Ata nuk më identifikuan si personin që po i paralajmëronte se çfarë do të ndodhte, por si një nga ata që donte të ndodhnin gjërat. Kështu që mendonin se të më mposhtnin mua, do të ndalonin procesin e ndryshimit. Por nuk ishte ashtu. Pastaj kam paguar një çmim ekonomiko-financiar, sepse kam investuar një sasi të madhe në Video On Line. Kjo u kthye vetëm pjesërisht kur i ka shitur rrjetin Telekomit”.

Të rinj nga e gjithë bota që përdornin internetin, takime telefonike me Shtetet e Bashkuara. Dhe ju si një profet, i zbathur dhe i pakryhur. Video On Line ishte e disponueshme në 18 gjuhë. Dikush thoshte që ju ishit si Christopher Columbu, njeriu që zbuloi Amerikën.

“Po, ma kanë thënë. Për dikë isha si Christopher Columbus. Unë dija vetëm se ishin Inditë, por në të vertetë u ndalova në Amerikë. Pastaj erdhën Amerigo Vespucci, navigatorët e tjerë që kanë shkruajtur dhe gjurmuar hartat e vërteta, kanë gjetur rrugët e duhura. Kanë projektuar kontinentet. Dhe unë isha i lumtur sa herë që dikush tjetër plotësonte udhëtimin “.

Për cilat arsye është fundosur projekti që kishit realizuar?

“Më ishin mbaruar paratë. Në atë pikë, Telekomi u ofrua për të blerë Video On Line dhe unë pranova ta shisja. Ai sigurisht nuk pagoi shumën që kisha shpenzuar. Por, nga i gjithë ai që ishte projekti im, ai mbajti vetëm rreth tridhjetë njerëz, duke çnatyruar gjithçka që ishte. Duke filluar me markën Video On Line, e njohur tashmë në të gjithë botën në atë kohë. Të tjerët i mirëpriti Renato Soru dhe themeluan Tiscali. Francesco Micheli, i cili çdo fundjavë vinte për të vëzhguar, themeloi Fastweb ”.

Nëse sot do të kishit mundësinë që t’i përkushtoheshit një iniciative të re editoriale, çfarë do të bënit?

“Shikoni zonjë, disa energji janë konsumuar. Ka momente që ndryshojnë në jetë. Kur kam bërë projektin Video On Line, nuk vendosja kufij, sot kam vështirësi të imagjinoj çdo gjë. Pasi kam ëndërruar gjithçka, gjithçka së bashku, pa kufij, sot nëse do të më dhuronin Google do ta shikoja si një gjë të pjesshme. Jo, preferoj të pushoj tani ”.

Përktheu: Majlinda Uci

SHKARKO APP