Covid, Sallabanda: Po shpenzohen miliona për vaksina jo efikase, e sigurtë që nuk del në nëntor
Mjeku shqiptar në Spanjë Kita Sallabanda, jep alarmin për faktin se po shpenzohen miliona për vaksina të cilat nuk është konfirmuar efikasiteti i tyre.
Në një lidhje përmes Skype për ”Ora News”, Sallabanda u shpreh se një vaksinë e sigurt mund të dalë në 3 mujorin e parë të vitit 2021.
Kita Sallabanda: ”Po bëhet tregti me çështjen e vaksinës. Ka synime të pastra politike. Për mendimin e shumë shkencëtarëve vaksina e sigurtë do të jetë në tremujorin e parë 2021. Tendencat që vaksinat t’i kemi në nëntor apo dhjetor janë dëshira të politikanëve për të qetësuar opinionin publik janë për të marrë 5 vota.”
Diçka tjetër që më ka shqetësuar kohët e fundit mua dhe kolegët e mi. Janë duke u blerë në mënyrë masive vaksina të cilat nuk e kanë vërtetuar efikasitetin e tyre. Është absurde sot që të blihen me miliona vaksina, për të cilat nuk është vërtetuar efikasiteti i tyre.”
Mjeku tha se po flitet për rreth 10 vaksina anti-covid në disa vende të botës, por duhet kryer faza e tretë e provave për të parë efikasitetin.
Kita Sallabanda: ”Ka një fazë të tretë. Është universiteti i Oksfordit, në Gjermani. Në Spanjë po bëhet një vaksinë shumë e mirë biologjike, nga më të sigurtat dhe mjaft ekifase. Në SHBA po bëhen studime të ndryshme. Nuk jam i sigurt për vaksinën ruse, sepse ka patur shumë efekte anësore dhe është përdorur nga mosha të caktuara të popullatës. Kam besim te vaksina kineze. Po flitet për 10 vaksina në vende të ndryshme të botës. Janë në fazë studimi, duhet të plotësojnë kohën e tyre. Duhet të presim që të mbarojë faza e tretë e provës klinike.”